Telegrafi

Tetovë, rreth 4 mijë kërkesa të reja për legalizim (Video)

Pas vazhdimit të ligjit për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje, në Komunën e Tetovës, janë dorëzuar gjithsej 3690 kërkesa dhe që të gjitha janë proceduar. Përgjegjësi për urbanizëm në Tetovë Nexhadi Zulbeari thotë se pengesa hasin lëndët fiktive për legalizim, objektet e ndërtuara në tokë me karakter publik si dhe objektet e ndërtuara në pronë të Bashkësisë Fetare Islame, njofton Alsat M.

“Ne i refuzojmë ato objekte që janë të ndërtuara në tokë publike, që është në funksion për publikun e gjerë dhe paraqet pengesë objekti i ndërtuar aty. Duke e njohur situatën në terren del se jo të gjitha kërkesat janë reale ka edhe kërkesa fiktive, por me përfundimin e lëndëve në fund do mbetet numri i atyre fiktive, që nuk ka objekt, nuk i plotëson kushtet ose ta marr një numër të gjendet”, tha Nexhadi Zulbehari, Përgjegjës për Urbanizëm në Komunën e Tetovës.

“Për dallim prej objekteve të tjera që janë të ndërtuara në tokë shtetërore, një numër i madh i objekteve apo rreth 50, janë të ndërtuara në tokë të Bashkësisë Fetare Islame, për të cilën është formuar edhe një komision shtesë nga BFI e Maqedonisë për të hetuar rastin dhe për të dhënë ose jo pëlqim për legalizimin e këtyre objekteve”.

“Kërkesat që vijnë për legalizim tek ne janë permanente, kështu që rregullisht ka të atilla dhe vijnë për tokat që njerëzit i kanë uzurpuar pra që janë vakëf, pronë e Bashkësisë Islame. Ne jemi të interesuar sinqerisht që të kërkojmë zgjidhje por është çështje pak e vështirë. Ne kemi formuar komision në nivel të myftinisë me plim të Riasetit të BFI-së, dhe komisioni është duke shqyrtuar mundësitë për ata që kanë ndërtuar dhe është proces nuk mund të caktojmë afat kohë apo kushte tjera”, u shpreh Qani Nesimi, Myfti i Tetovës.

Më tepër kërkesa për legalizim të objekteve në Tetovë ka pasur nga lagja e UÇK-së e cila është formuar pas vitit 2001. /Telegrafi/