Për shkollën në Reçicë të Vogël vazhdojnë të jepen premtime kurse në terren ende asgjë konkrete nuk ka. Në këtë lagje banorët që moti kanë kërkuar ndërtimin e një objekti shkollor, por gjithnjë institucionet kanë gjetur mënyra për t’iu shmangur këtij investimi, shkruan gazeta Koha. Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, është shprehur se është në prioritet të ministrisë dhe Qeverisë që të ndërtohet shkolla, por pa precizuar se kur një gjë e tillë do të ndodh.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me Komunën e Tetovës lidhur me të gjitha problemet që kanë të bëjnë me arsimin, duke përfshirë këtu edhe investimet kapitale edhe shkollën fillore në Reçicë të Vogël. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se është një nevojë imanente e banorëve të Reçicës së Vogël, dhe jemi duke punuar në drejtim të gjetjes së një zgjidhje sa më të shpejtë”, thotë zëvendësministri Ademi. Nga Komuna e Tetovës janë shprehur se shkolla në Reçicë të Vogël është prioriteti i mandatit katërvjeçar. Sipas kryetares Teuta Arifi, janë duke u bërë të gjitha përpjekjet që ky projekt të financohet nga buxheti i shtetit dhe presin që Qeveria të miratojë në programin e vitit vijues.
“Mendoj se me këtë mandat do të përfundoj ajo shkollë. Siç e dini historinë e shkollës gjatë katërvjeçarit të fundit, ishte në programin për tu realizuar me grandin kinez, dhe ne kërkuam nga Qeveria që të tërheq nga realizimi i atij grandi, por të vendos në buxhetin e saj. Jemi duke përfunduar edhe një revizion të dytë të lejes meqenëse projekti ka leje, është i plotë dhe presim që Ministria e Arsimit ashtu siç ka thënë edhe Qeveria, këtë projekt ta mbështesin”, ka deklaruar Arifi. Premtim për këtë shkollë kishte dhënë edhe kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës në kohën e fushatës për zgjedhjet lokale, duke nënvizuar se kjo shkollë do të jetë prioritet për qeverinë. Në ndërkohë, rreth 700 nxënës të kësaj paralagje tetovare mësimin e ndjekin në këtë shkollë fillore, e cila ka më shumë se 1700 nxënës.
Shkolla është ndërtuar në vitin 1969 me një kapacitet prej 700 deri në 800 nxënës, ndërsa tani numri i nxënësve është 1700, kurse gjysma e këtyre janë të lagjes Reçicë e Vogël. Përderisa fëmijët e kësaj lagje udhëtojnë deri në katër kilometra në ditë për të arritur në shkollën fillore “Naim Frashëri”, ata gjatë ndërrimit të pasdites përballen me shumë probleme, si mungesë e ndriçimit publik, mungesë të trotuareve dhe prezencës së qenve endacak. Prindërit e kësaj lagje që moti kërkojnë një shkollë, por assesi ky projekt të realizohet.
Nga ana tjetër, në fshatin Sellcë, sipas informacioneve zyrtare, për momentin janë duke u bërë analiza për qëndrueshmërinë e tokës në disa lokacione për shkak se në objektin që nisi të ndërtohet më herët, nuk mund të vazhdohet me punë, sepse dheu është i rrëshqitshëm. Objekti ekzistues ku mësojnë nxënësit e fshatit Sellcë është ndërtuar në vitin 1952 dhe prej atëherë disa herë janë bërë renovime të vogla. Ndryshe, kjo shkollë ka edhe dy shkolla periferike – një në Llacë dhe një në Vicë, ku mësojnë 576 nxënës dhe ka një kuadër prej 54 personave.
Në shkollën qendrore të këtij fshati mësojnë 365 nxënës. Për objektet e reja shkollore në Reçicë dhe në Sellcë gjithnjë janë dhënë premtime se do të fillojnë të ndërtohen, por konkretisht nuk është bërë asgjë./koha/