Pesë shkolla fillore në kuadër të Komunës së Tetovës kanë kërkuar që mësimi të mbahet me prezencë fizike, nga klasa e parë deri në të nëntat.
Shkollat që kanë kërkuar mësim me prezencë fizike janë: “Rexhep Voka” – Shipkovicë, “Rilindja” – Sellcë, “Besa” – Veshallë, “Goce Dellçev” – Tetovë dhe “Andreja Saveski” – Tetovë.
“Këto pesë shkolla kanë dorëzuar kërkesë me arsyetimin se i plotësojnë kushtet dhe numrin adekuat të nxënësve, për të mbajtur mësim me prezencë fizike, në të gjitha klasat nga e para deri në të nëntat. Propozimet janë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe përgjigjja do të varet nga kontrolli që do të bëhet në këto shkolla”, tha udhëheqësi i sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi.
Shkollat në Tetovë kanë numër të madh të nxënësve dhe të gjitha të tjerat e tejkalojnë numrin 500 të nxënësve.
Shkollat kanë organizuar edhe anketë, në mënyrë që të marrin mendimet e prindërve për mënyrën e mbajtjes së mësimit./Telegrafi/