Telegrafi

Tetovë, në çdo rrugë të re do të vendosen hidrantë

Në territorin e komunës së Tetovës ekzistojnë hidrantë, prej të cilëve pjesa më e madhe janë jofunksional. Këta hidrantë në raste urgjente sidomos gjatë zjarreve do të ishin në shërbim të njësisë së zjarrfikësve për shuarje më të shpejtë të zjarrit. Së fundmi komuna e Tetovës përmes Ndërmarrjes Publike Komunale dhe Njësisë së Zjarrfikësve është duke u marrë me këtë problematikë që në çdo rrugë që rregullohet të vendosen hidrantë. Lulzim Shaqiri, përfaqësues i Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë, nënvizon se vendosja e hidrantëve do të jetë një zgjidhje e mirë që në të ardhmen intervenimi të bëhet në kohë në rast të zjarreve.

“Mungon regjistër dhe mos azhurim i të dhënave të ekzistencës së hidrantëve dhe ka vende ku nuk ekzistojnë aspak hidrantë në rrjetin e ujësjellësit në brendi të qytetit si dhe në zonat përreth. Pra, nëse kemi zjarr të madh në Malin Sharr, ne nuk kemi hidrante ku do të mundin që njësia e zjarrfikësve të mbushnin cisternat me ujë dhe shpejtë të shuhet zjarri. Ne pasi që kemi rrjet të ujësjellësit, pastaj çdo fshat ka rrjetin e vet të ujësjellësit dhe mundësitë janë që të krijohen hidrante. Kamionët e zjarrfikësve nëse intervenojnë në ndonjë fshat në malësi, do të duhet që të mbushen me ujë dhe të shkojnë atje dhe humbet shumë kohë, kurse nëse do të kishte hidrante intervenimi do të ishte efektiv. Kjo duhet të vlejë edhe për komunat rurale që edhe nëpër ato fshatra të ketë hidrantë të ujit. Kryetari i komunës së Tetovës ka dhënë një rekomandim që të bëhet një mapim të hidrantëve të qytetit ku janë dhe në bashkëpunim me njësinë e zjarrfikësve, kemi vullnet që të realizojmë këtë”, thotë Lulzim Shaqiri.

Nga njësia e zjarrfikësve thonë se në Tetovë ka disa hidrante që janë funksionale, por nevojiten edhe tjerë. “Në komunën e Tetovës kemi disa hidrante që për momentin janë funksional dhe me ujë teknik. Kur ndërtohen rrugë, në gjithë ato pjesë janë vendosur hidrantë dhe për ne si njësisë e zjarrfikësve janë shumë të nevojshëm sidomos në rrugë jo të kalueshme, sidomos në pjesët e larta të qytetit ku është e vështirë qasja me kamion. Ka hidrante, por një pjesë e tyre janë jofunksional për arsye se nuk janë mirëmbajtur. Punohet tashmë që ato hidrantë që do të vihen në funksion të jenë me ujë teknik dhe jo me ujë të pijshëm. Është mëse e nevojshme që edhe në komunat rurale të vendosen, shembull ka një në komunën e Tearcës, por hidrantë duhet të ketë çdo fshat”, thotë Avni Ameti, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë.

Përveç intervenimeve për shuarjen e zjarreve, hidrantët janë të nevojshëm edhe për pastrimin dhe larjen e rrugëve në Tetovë. Dy hidrante janë vendosur tashmë me rikonstruimin e rrugëve, në “Strasho Pinxhur” dhe në rrugën “Sami Frashëri”./Koha/