Në Tetovë tashmë dy ditë është në fuqi masa për ndalesë të qarkullimit të transportit publik të udhëtarëve për hyrje dhe dalje nga komunat e Pollogut dhe qytetit të Shkupit. Krahas kësaj, në fuqi ka hyrë edhe vendimi për mbajtjen e maskave në ambient të mbyllur, ku ka frekuentim të madh të qytetarëve.
Edhe pse kjo masë ishte propozuar nga ana e kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, megjithatë shumë banorë nga komunat rurale tashmë po përballen me mungesën e transportit për të udhëtuar deri në qytet gjatë kohës kur nuk është ora policore.
“Është një masë e cila na ka dëmtuar shumë, sepse jo çdo qytetar ka automjetin e tij për të udhëtuar deri në qytet. Kemi punë në bankë, në barnatore, në institucione tjera për të rregulluar dokumente dhe tash shumë vështirë gjejmë transport”, thotë Arbeni, një banorë i Komunës së Tearcës.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komunës së Tetovës pavarësisht reagimeve të banorëve të komunave të Pollogut, shprehet se kjo masë ka ndikim në parandalimin e përhapjes së virusit Covid 19. “Edhe policia, ushtria kanë organizuar transportin për policët dhe ushtarët që nuk janë nga Tetova, kurse jemi të informuar se edhe Spitali klinik i Tetovës tashmë e bën një gjë të tillë për punëtorët shëndetësorë. Ka kompani që po ashtu e kanë të organizuar transportin për punëtorët e tyre për çka kanë edhe leje nga organet përkatëse, kurse për kompanitë tjera por edhe në administratë mendoj se punëdhënësit do të gjejnë mënyra që të organizojnë transportin për ata punëtorë që vijnë nga komunat tjera”, deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Masa e këtillë, sipas kryetares së Komunës, duhet që të jep efekte në drejtim të përhapjes së virusit Covid 19, pasi që shumë banorë të komunave rurale përdorin transportin ndërurban për të ardhur deri në qytetin e Tetovës. Me probleme përballen shumë qytetarë të rrethinës së Tetovës, të cilët krahas që janë të punësuar në ndonjë kompani private ose institucion shtetërorë, ata duhet që të gjejnë mënyra dhe forma për të arritur deri në qytet për të kryer obligimet e tyre dhe më pas të kthehen në atë orar që nuk është ora policore. Më të dëmtuar në këtë rast janë edhe kompanitë që kanë licenca për të kryer transport të udhëtarëve nga komunat rurale, të cilët tashmë dy ditë që nga hyrja në fuqi e kësaj mase, nuk kryejnë transport të udhëtarëve për në Tetovë dhe anasjelltas. Përderisa kjo masë ka hyrë në fuqi, qytetarët gjithnjë e më shumë po ndjejnë pasojat nga izolimi në një kohë kur ata duhet që të mbrojnë shëndetin e tyre. Qytetarët presin që ditëve në vijim gjatë muajit të shenjtë të ramazanit të ketë edhe më shumë lehtësime, sidomos gjatë udhëtimit të tyre për në qytet, ku edhe kryejnë obligimet e tyre të përditshme, sidomos në ato vendbanime ku mungojnë institucione si posta, ambulantet shëndetësore, barnatoret, kurse ka edhe qytetarë që kanë obligime edhe në banka dhe mungesa e transportit u shkakton shumë telashe. (koha.mk)