Site icon Telegrafi

Tetovë, makinat e prishura do të largohen nga vendet publike

Rreth 20 makina të prishura të cilat janë lënë në vende publike dhe hapësira të gjelbërta në Tetovë do të largohen gjatë ditëve të ardshme, në një aksion të përbashkët që ka filluar ekipi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë së bashku me komunën.

Siç informoi zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski, aksioni është në kuadër të përgatitjeve të planifikuara para fillimit të vitit shkollor dhe aktiviteteve të SPB për siguri dhe rend më të madh në komunikacion, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gjatë periudhës së kaluar makinat së pari janë zhvendosur dhe u janë ngjitur njoftime me afat për largimin e tyre për tre ditë.

“Përderisa në afatin e paraparë, veturat e prishura nuk largohen nga pronarët e tyre, ekipet policore dhe komunale do të veprojnë sipas marrëveshjes. Do t’i transportojnë, ndërsa pronarët do të detyrohen të paguajnë kompensim në të holla”, tha Josifovski.

Sipas tij, aksion i ngjashëm për largimin e veturave të prishura nga vendet publike dhe hapësirat e gjelbërta do të ndërmerret edhe në Gostivar./Telegrafi/

Exit mobile version