Procesi i legalizimit të objekteve pa leje ndërtimi filloi në vitin 2011. Vendimi i atëhershëm është marrë me qëllim që të vendoset rend për sa i përket ndërtimeve pa leje, të cilët ishin në numër shumë të madh në atë kohë. Atëkohë, ishte parashikuar që procesi i legalizimit të zgjasë deri në vitin 2018, por më pas, Qeveria e vazhdoi afatin deri në vitin 2026.
Në seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Tetovës u miratuan 43 lëndë që ishin në kuadër të procesit të legalizimit. Bëhet fjalë për shtëpi banimi, shtesa të banesave kolektive. Pjesa më e madhe e tyre janë objekte banimi që ndodhen jashtë rajonit të ndërtimit.
Udhëheqësi i Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Tetovës, Rilind Selmani, pohon se gjatë procesit të legalizimit, është bërë filtrimi i lëndëve që të mos dëmtohet interesi publik. Ai shtoi më tej se gjatë kësaj kohe, objektet pa leje që janë legalizuar nuk kanë penguar në hapjen e rrugëve të reja, bulevardeve dhe ndërtimeve tjera me interes publik.
“Deri më tani, të gjithë lëndët janë kontrolluar dhe filtruar mirë, që të mos kemi probleme më pas në terren, sidomos gjatë hapjes së rrugëve, bulevardeve, zonave publike, gjelbërimet e kështu me radhë. Aty ku është prekur interesi publik, qytetarët janë njoftuar prandaj deri më tani ky proces nuk ka prekur interesin publik”, thotë Selmani.
Nga Sektori i Urbanizmit thonë se sipas Ligjit, objektet që janë jashtë rajonit të ndërtimit dhe janë në proces të legalizimit, këto lëndë duhet të kalojnë në Këshillin komunal. “Shumica e lëndëve ose rreth 15 mijë lëndë, sa ka patur kërkesa për legalizim të objekteve pa leje në territorin e Komunës së Tetovës, janë procesuar. Pra, kur kemi ardhur në krye të detyrës, në vitin 2021, ne automatikisht kemi pranuar tre mijë lëndë të legalizimit. Jemi munduar në maksimum që të bëjmë filtrimin e tyre që të mos e dëmtojmë interesin publik. Ato lëndë që kanë qenë në proces e sipër, i kemi thirr qytetarët dhe i kemi informuar që të plotësojnë dokumentacionin dhe të kryejë procesin e legalizimit. Kjo, ka qenë një ndihmesë për qytetarët sepse objektet kanë qenë të ndërtuara dhe me një elaborat dhe një deklaratë se objekti është ndërtuar para vitit 2011, ata kanë mundur të kenë një status të zgjedhur për objektin e tyre”, tha Selmani.
Më tej, nga Sektorit i Urbanizmit në komunën e Tetovës thonë se qytetarëve të cilëve u janë refuzuar lëndët për legalizim, të njëjtit kanë të drejtë që të ankimojnë vendimin./Koha.mk/