Mbeturinat të cilët janë grumbulluar në qytet me kamionët e Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë kanë qëndruar të ngarkuar në hapësirat e njësisë “Higjiena Komunale”, pranë varrezave myslimane në lagjen Teqe. Kjo ka bërë banorët e kësaj lagje të ankohen për erë të rëndë që kundërmon, për papastërti, dhe zhurmë të madhe gjatë tërë kohës. Tërë kjo situatë ka sjellë shumë qen endacak në lagjen e tyre, pohojnë banorët.
“Ne ankohemi për shkak të grumbullimit të mbeturinave në këtë vend dhe arsyetimi i tyre është se kamionët janë në defekt. Vijnë këtu me kamioneta dhe sjellin mbeturina dhe era nuk durohet. Kjo nuk është hera e parë, e bëjnë shumë herë. Na kanë premtuar se do ta rregullojnë këtë problem, i kemi kontaktuar dhe kemi vetëm fjalë boshe. Kur ka mbeturina, këtu vijnë edhe qentë endacak dhe fëmijët janë në rrezik, i dërgojnë dhe i marrin prindërit nga shkolla, sepse ata vet nuk mund të lëvizin nga frika”, thotë Bujar Memeti, banorë i kësaj lagje.
Banorë tjerë theksojnë se nuk kanë qetësi për shkak të zhurmës që krijojnë makineria dhe punëtorët.
“Kam shumë problem, sepse një mur na ndanë me këtë ndërmarrje. Kur shkoj në mëngjes në punë, çdo herë duhet që t`u them punëtorëve që të jetë më të qetë. Nuk ngjan kjo që unë si grua të dal dhe t`u them që të jenë më të qetë. Tërë lagjja kemi problem”, thotë Nuran Nesimi, banore e kësaj lagje.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë kanë sqaruar se situata është krijuar pasi që kamionët nuk kanë mundur që të dërgojnë mbeturinat deri tek stacioni për ngarkim-shkarkim, për shkak se policia ka bllokuar rrugën industriale, ku janë duke u kryer punët për asfaltimin e tij.
“Në Njësinë Higjiena Komunale, gjatë tërë ditës hyjnë dhe dalin rreth 200 punëtorë. Normal kemi edhe hyrje-dalje të makinerisë, të cilët dalin në qytet për të mbledhur mbeturina dhe për tu kthyer në garazh. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e bllokimit të rrugës industriale dhe nuk kemi mundur të arrijmë deri tek stacioni për ngarkim-shkarkim, dhe kamionët kanë qëndruar në ato hapësira. Pasi që na është lejuar qarkullimi, menjëherë i kemi larguar kamionët nga ai vend. U është tërhequr vërejtja edhe punëtorëve që të jenë më të kujdesshëm. Kemi mirëkuptim për banorët, i falënderojmë dhe jemi mirënjohës që durojnë tërë zhurmën, pasi që ajo njësi punon me tre ndërrime”, deklaroi drejtori i NPK-së në Tetovë, Xhelal Ceka.
Banorët janë shprehur se makineria ku ndodhet Higjiena Komunale duhet që të dislokohet. “Kjo duhet që të jetë në fund të qytetit, duam në qetësi që të jetojmë, pa erë, pa mbeturina. Kjo nuk e ka vendin këtu, kur e kanë sjellë në këtë vend, tërë ky vend ka qenë pa shtëpi, kurse tash ka shumë shtëpi përreth dhe duhet që të dërgohet në fund të qytetit”, thonë banorët.
Për banorët e pranueshme do të ishte që të sillet ndonjë njësi tjetër që nuk do të krijonte situata të këtilla.“Njësia e parqeve dhe gjelbërimi duhet që të vjen këtu, kurse kjo që është tash këtu të largohet prej këtu. Neve njësia e gjelbërimit nuk na pengon”, shprehen ata.
Drejtori Ceka është shprehur se ky variant është duke u menduar që në të ardhmen të dislokohet kjo njësi në një vend tjerët.
“Edhe unë jam pro largimit nga ai vend, pasi që Njësia Higjiena Komunale ndodhet në mes të qytetit dhe nuk na vjen mirë që të shkaktojmë telashe për shkak të natyrës së punës. Ne kemi bërë shumë përpjekje që këtë njësi ta transferojmë tek stacioni për ngarkim-shkarkim në Falisht, dhe aty të kemi garazhet për kamionët. E kemi menduar shumë kohë, punojmë shumë në atë drejtim dhe është e palogjikshme që Higjiena Komunale të ndodhet në mes të qytetit”, tha Ceka.
Higjiena Komunale ndodhet në një zonë të rrethuar me popullatë, kurse banorët shpresojnë se dislokimi i saj do të bëhet në një periudhë të afërme, që të jetojnë të qetë./Koha/