Site icon Telegrafi

Tetove-Jazhincë, ndër rrugët më të rrezikshme

Rruga Tetovë- Jazhincë vazhdon të jetë ndër më të rrezikshmet për kalimtarët, por edhe për vozitësit. Mungesa e sinjalistikës, mungesa e trotuarit në pjesën e dytë të rrugës dhe tejkalimi i shpejtësisë, bëjnë që në këtë aks rrugor, të ketë gati çdo ditë aksidente.

“Pika më e rrezikshme e rrugës Tetovë Jazhincë është pikërisht fshati Xhepçishtë. Në këtë vendbanim, pothuajse çdo vit ka nga një viktimë nga vozitja e shpejtë dhe e pakujdesshme. Andaj, banorët kanë marrë nismën e vendosjes së pengesave për shpejtësi në gati çdo njëqind metra me qëllim që të mbrojnë veten”.

Banorët kërkojnë patrulla më të shpeshta policore dhe ndriçim gjatë natës. Ndërsa si zgjidhje të përhershme e shohin ndërtimin e një rruge alternative, sepse në këtë rrugë që madje lidh Kosovën me Maqedoninë, shpesh kalojnë edhe makineri bujqësore, që ende më shumë rëndojnë lëvizjen.

“Trotuar nuk ka, ndriçimi i rrugëve nuk funksionon, shpejtësi e madhe e veturave. Ja siç e shihni vet, kjo është”.

“Shteti duhet të ndërtoj një rrugë ndihmëse, sepse kjo është tepër e rënduar, sidomos kur vijnë mërgimtarët. Duhet trotuari të jetë, drita natën dhe rrugë ndihmëse, siguria zero është”.

“E shihni vet si është, është rrugë tepër e ngarkuar. Duhet shteti të merr masa”.

Nga Policia e Tetovës thonë se në këtë aks rrugor, gjobat janë trefishuar.

“Është trefishuar edhe numri i dënimeve që kanë të bëjnë me tejkalim të shpejtësisë, tejkalim në vijë të plotë, mos respektim i shenjave të komunikacionit tjera”- deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Për vetëm një muaj, në këtë aks rrugor kanë ndodhur 11 aksidente.

Exit mobile version