Bisedimet pritet të finalizohen të hënën me marrëveshjen për kryetarin e këshillit nga radhët e BDI-së. Sipas burimeve jozyrtare, partia e Gruevskit do të marrë sektorin për arsim në kuadër të Komunës, drejtorin e Ndërmarrjes publike komunale si dhe një nga drejtorët e shkollave të mesme.
Është formuar edhe Këshilli komunal i Gostivarit. Nasir Musliu nga BDI-ja është zgjedhur kryesues i këshillit, me votat edhe të 5 këshilltarëve të VMRO DPMNE-së dhe 3 të LSDM-së.
Siç mëson Alsat M, BDI-ja do të mbajë për vete drejtorin e Ndërmarrjes komunale të Gostivarit, ndërsa partitë maqedonase do të marrin drejtorin e shkollës fillore ‘Goce Dellçev’ dhe të shkollës së mesme ekonomike, të cilët tradicionalisht kanë pasur drejtor maqedonas. Vazhdojnë bisedimet për këshillin komunal në Strugë.
Nga PDSH-ja bëjnë të ditur se janë në bisedime me partitë shqiptare për të formuar koalicion mbarëshqiptar në këtë komunë. Pritet që 7 këshilltarët e BDI-së dhe dy të RDK-së të votojnë kandidatin e PDSH-së për kryesues të këshillit komunal Ymer Ymeri.
Siç wshtw njoftuar më herët, marrëveshje është arritur për Komunën e Kumanovës, ku me mbështetje të BDI-së, kryetar i këshillit komunal u zgjodh Maksim Dimitrievski nga LSDM-ja. Katër këshilltarët e BDI-së në Kumanovë kanë vendosur kryesuesin e këshillit, pasi dy partitë maqedonase kishin numër të njëjtë këshilltarësh, nga 12 të dyja.
Këshilli është konstituuar edhe në komunën e Likovës, ku ka vendosur anëtari i vetëm i RDK-së, i cili ka dhënë votën për koalicion me BDI-në. Edhe në komunat e Tearcës dhe Zhelinës, kryesuesit e këshillave janë anëtarë të BDI-së. Në komunën e Vrapcishtit konstituimi i këshillit akoma mbetet pezull, për shkak të refuzimit të Partisë demokratike turke për koalicion me BDI-në. /Telegrafi/