Site icon Telegrafi

Tetovë, 160 paraqitje për dëme të pësuara nga reshjet e dendura të shiut

Në rajonin e Tetovës, mbi 160 persona kanë paraqitur dëmet e pësuara nga reshjet e shiut. Numri më i madh i dëmeve është në bujqësi. Ndërkohë është gjetur zgjidhje për dëmshpërblimin edhe të personave që nuk i kanë mbi vete tokat bujqësore, apo që nuk kanë kontratë për shfrytëzimin e tyre. Ndërkohë për paraqitjen e dëmeve kanë mbetur edhe katër ditë.

“Deri të premten pranohen ankesat për dëmet që kanë qytetarët. Deri më tani numri është 160, varësisht prej ditëve do ndryshoj edhe numri. Dëme më shumë ka fshati Shipkovicë, Xhepçisht dhe Falisht. Shumica e kërkesave është dëmshpërblim për tokë bujqësore, dhjetë janë shtëpi dhe pesë makina. Sipas bisedës së kreut të komunës me ministrin e bujqësisë, janë dakorduar që personat që kanë fletëpronësi të tokës mund të kërkojnë dëmshpërblim dhe tjetra është përmes deklarimit përmes noterit, ku personat do dëshmojnë se kanë marrëveshje për shfrytëzim të tokës bujqësore”, tha Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.

Pas dëmshpërblimit, Ministria e Bujqësisë ka paralajmëruar një pako masash për mbrojtjen e të mbjellave të bujqve.

“Ministria do të merr një sërë masash mbrojtëse kundër fatkeqësive elementare, me bashkëfinancimin e policave të sigurimit dhe masa të tjera mbrojtëse që t’i mbrojmë prodhimet bujqësore. Tani do dëmshpërblehen banorët, por pas këtij dëmshpërblimi ne do bëjmë çmos që të mbrojmë sa më shumë tokat”, u shpreh Cvetan Tripunoski, ministër i Bujqësisë.

Pas grumbullimit të dokumentacionit nëpër komuna, ato do vlerësohen dhe elaborati i tyre do dorëzohet në Qeveri për shkallën e dytë të komisionit, që më pas të bëhet dëmshpërblimi i tyre.

Exit mobile version