Site icon Telegrafi

Tetovë, 100 mijë euro për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit

Tashmë kur është çështje ditësh që edhe pjesët e ulëta të Tetovës dhe rrethinës të përfshihen nga reshjet e borës. Viteve të fundit, edhe pse ka patur pak borë që ka lehtësuar punën e autoriteteve për mirëmbajtjen e rrugëve, megjithatë probleme janë shfaqur vetëm në viset malore, respektivisht në fshatrat e Malësisë së Tetovës, sidomos në ditët e para të reshjeve të borës. Por pas intervenimeve situata është përmirësuar. Këtë vit, komuna e Tetovës për dallim nga viti i kaluar kur pastrimin e rrugëve e kishte Ndërmarrja Publike Komunale, këtë vit ka vendosur që përmes procedurës së tenderimit të gjejë kompani që do të mirëmbajë rrugët.

“Mirëmbajtja e rrugëve nëpër tërë territorin e Komunës së Tetovës këtë vit do të menaxhohet nga Komuna dhe për këtë tashmë është hapur edhe procedurë tenderimi, ku gjatë ditës së nesërme (të premten) do të jetë edhe aukcioni për përzgjedhjen e kompanisë e cila do të ofrojë kushte më të favorshme”, njoftuan nga shërbimi për Informim në komunën e Tetovës.

Kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi thotë se për këtë çështje do të vendos komuna e Tetovës. Ai konfirmoi se shumë shpejtë do të vendoset për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror.

“Vitin e kaluar kompetencat i janë dorëzuar Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë dhe deri në përfundim të këtij viti këta kompetenca do jenë të kësaj ndërmarrje. Pas vitit të ri do të shohim se di do të bëhet mirëmbajtja e rrugëve, do ta ketë sërish kjo ndërmarrje apo do të shihet variant tjetër. Për këtë do të vendos udhëheqësia e komunës së Tetovës”, tha Besar Durmishi, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës. Nga shërbimi për Informim në komunën e Tetovës, thonë se mjetet e parapara për mirëmbajtjen e rrugëve në territorin e Komunës së Tetovës janë rreth 6 milion denarë ose rreth 100 mijë euro. Sipas komunës së Tetovës janë siguruar gjithsej 500 ton krip dhe 250 metër kub rërë. Sipas komunës së Tetovës rrugët me prioritet janë ata në fshatrat e malësisë së Tetovës, kurse sa i përket qytetit si zakonisht janë rrugët për në Spitalin Klinik të Tetovës, në shkolla, në çerdhe, në polici, në komunë e kështu me radhë. Nga komuna e Tetovës për Gazetën Koha, thonë se vitin e kaluar gjithnjë ka patur makineri prezente në fshatrat e malësisë së Tetovës, me qëllim që rrugët të jenë të hapura për raste urgjente. Poashtu sipas tyre, edhe këtë vit kjo do të jetë prioritet për pushtetin lokal në Tetovë. Për rrugët regjionale në Tetovë përgjegjëse është Ndërmarrja “Rrugët shtetërore”. (koha.mk)

Exit mobile version