Qyteti i Tetovës në kohën e monizmit kishte dy kinema – “19 nëntori” dhe “Bratsvo”, që frekuentoheshin nga popullata ditëpërditshëm. Pas demokratizimit të vendit më 1990, atu u mbyllën për t’mos u hapur gjer në kohën tonë.
Lidhur me këtë çështje, aktori i mirënjohur, Xhevdet Jashari për Portalb tha: “Fatkeqësia më e madhe është se çështja e kinemasë është akoma e pazgjidhur, jo vetëm në qytetin tonë. Po të vijë një i huaj në Tetovë nuk do ta besonte se me të vërtetë qyteti nuk ka kinema”.
Për aktoren Mona Mustafa roli i kinemasë është shumë i rëndësishëm dhe Tetova meriton ta ketë një objekt të tillë kulturor, ku do të shfaqeshin veprat më të rëndësishme kinematografike nga vendi, rajoni dhe bota. Ajo shprehet se kinemaja është univers, përtej flamujve dhe kufijve turlifare.
“Më shumë se kurrë të rinjtë tanë kanë nevojë të ulen pranë njëri-tjetrit, të flasin dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin, ndërsa kinemaja është mediumi më i mirë për të arritur këtë”, tha Mustafa.
Se si do të dukej qyteti i Tetovës po të kishte kinema rrëfen për Portalb edhe Sani Rexhepi, i cili kinemanë e cilëson si pjesë të kulturës. Ai mendon se do të ishte mirë që qyteti të kishte kinema ku do të emetoheshin dokumentarë edukativë, kulturorë…, nga të cilët të rinjtë do të përfitonin më shumë se sa nga kafenetë dhe facebook-u.
Ndërsa Armend Fazliu, – shef i zyrës për komunikim dhe marrëdhënie me publikun në Komunën e Tetovës, pyetjes sonë se a ka Komuna e Tetovës ndonjë plan për të ndërtimin e kinemasë, iu përgjigj:
“Në projektin e ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, parashikohet edhe ndërtimi i kino sallës me standardet më bashkëkohore të kohës”.
Ai më tej theksoi se Komuna e Tetovës e ka mbështetur këtë projekt me të gjitha resurset e saj administrative, sepse e ka ndjerë kahmoti mungesën e një kinemaje të mirëfilltë që plotëson standardet e kohës aktuale.
Ndryshe, projekti për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës pritet të përfundoj në vitin 2017 dhe kap shumën e 13 milion eurove./Telegrafi/