Site icon Telegrafi

Tetova nuk ka zgjidhje për qentë endacak

Problemi me qentë endacak ende nuk zgjidhet në Tetovë. Tash për tash ka vetëm propozim që të kërkohet lokacioni për ndërtimin e stacionarit. Për dallim nga Tetova, në Gostivar tashmë përgatitet Qendra e qenve endacak.

Qytetarët e Tetovës edhe gjatë do të ballafaqohen me rrezikun që të kafshohen nga qentë endacak për shkak se Komuna e Tetovës ende nuk ka nisur procedurë për zgjidhjen e problemit. Thonë se janë të vetëdijshëm për situatën, por tash për tash ka vetëm propozime për nisjen e procedurës për gjetjen e lokacionit për ndërtimin e stacionerit dhe trajtimit të qenve endacak në Tetovë, ku duhet të votohet në seancat e ardhshme të Këshillit të Komunës së Tetovës.

Goran Haxhiloskki, këshilltar i LSDM-së pajtohet me nevojën e veprimit të shpejtë sepse qytetarët kanë reaguar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Për qentë endacak, ka pasur ankesa, dy ankesa, erdhën njerëzit në derë tek unë. Mendoj se ka mundësi të zgjidhet dhe se nuk është ndonjë problem i madh. Mendoj se Komuna do të marr qëndrim dhe do ta zgjidh këtë problem. Mund të vendosen në një objekt dhe të mos bëhet ndonjë dëm më i madh. Këtë vit sa di unë ka 7 kafshime nga qentë endacak. Unë personalisht kam parë njeri të lënduar. Ishte e frikshme duke e shikuar”, thotë Haxhiiloski.

Derisa kjo gjendje në Tetovë nuk është ndryshuar, në Gostivar tashmë përgatitet Qendra e qenve endacak në një nga objektet e kazermës së vjetër. Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari dëshiron të jetë qendër rajonale që mund t’ju ndihmojë edhe qytetarëve të Tetovës.

“Tashmë janë angazhuar dy veteriner që do t’i sterilizojnë këto qen. Do t’u vendoset mikroçipa në lëkurë dhe një shenjë të veshin e këtyre qenve. Qytetarët do të jenë të sigurt se ata qen nuk janë të infektuar. Dhe nuk do të sulmojnë qytetarët. Shpresoj se kjo do të jetë qendër rajonale për trajtimin e qenve endacak”, tha Taravari.

Për shkak të frikës nga qentë endacak vërehen veprime të pamenduara nga ana e njerëzve që përpiqen t’i helmojnë. Me kafshë të helmuara sipas punëtorëve të shëndetësisë shëndeti i qytetarëve rrezikohet më shumë.

“Mund të ketë pasoja në shëndet të njerëzve helmi i qenve endacak. Ndërsa trupat e kafshëve të ngordhura nga helmi mund të jenë burime nga ndonjë sëmunjde”, tha dr. Ratko Davidovski nga Qendra për Shëndet Publik.

Në Tetovë vërehen edhe raste ku qytetarët për shkak të kafshimit nga qentë endacak e kanë paditur Komunën e Tetovës./Telegrafi/

Exit mobile version