Gjatë ditës së sotme, në qendër të Mitrovicës, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, janë shitur produkte ushqimore ku mjetet e fituara do t’iu dhurohen grave që përballen me kancer të gjirit.
Kjo iniciativë u quajt “Gatuajmë dhe mbështesim gratë e prekura me kancer të gjirit”, e cila bëri bashkë gra ndërmarrëse, aktiviste e të mbijetura të kancerit të gjirit, shkruan Telegrafi.
Drejtoresha e organizatës jo-qeveritare “Business Women Mitrovica”, Melihate Beshiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se këtë iniciativë kanë vendosur ta bëjnë në kuadër të “Tetorit rozë”.
Beshiri ka thënë se për këtë iniciativë i kanë mbështetur Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe shkolla e mesme e Mjekësisë “Dr.Xheladin Deda” në Mitrovicë.
Ajo ka bërë të ditur se produktet ushqimore nuk kanë çmime dhe qytetarët mund të kontribuuojnë varësisht prej mundësive të tyre.
“Ushqimet nuk kanë çmime, qytetarët mund t’i paguajnë aq sa kanë mundësi dhe dëshirë”, ka shtuar ajo.
Beshiri ka inkurajuar të gjitha gratë që të vetëdijësohen dhe të kontrollohen sa më herët.
Ndërsa, Valbona Sadiku, bashkë-organizatore e kësaj iniciative, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se të gjitha ushqimet janë përgatitur nga vetë gratë aktiviste dhe ato ndërmarrëse.
“Kemi pasur vullnet nga të gjitha për të punuar. Në këtë iniciativë na ka mbështetur edhe korporata ‘Rugova’, Drejtoria për Shëndetësisë-Komuna e Mitrovicës dhe grupi i grave asambliste”, ka thënë Sadiku.
Sadiku ka thënë se kjo ka filluar si iniciativë por që sipas saj, mënjëherë kanë gjetur mbështetje.
Ajo ka bërë të ditur se të gjitha paratë e fituara nga shitja e produkteve ushqimore do t’iu dedikohen grave që përballen me kancerin e gjirit.
“Të gjitha mjetet nga shitja e këtyre ushqimeve do t’iu dedikohen dhe ndahet në mënyrë të barabartë të gjitha grave që janë të prekura me kancer të gjirit”, ka thënë ajo.
Sadiku është shprehur optimiste se këto mjete do ta ndihmojnë këtë komunitet, transmeton Telegrafi.
Ajo ka bërë të ditur se edhe gratë që janë të prekura aktualisht me kancer të gjirit kanë gatuar ushqime.
“Kemi gra që sot kanë përgatitur ushqime dhe i kanë sjellur këtu, e në të njëjtën ditë kanë udhëtuar për në Prishtinë për ta marrë terapinë. Kjo e bën shumë të veçantë sepse solidarizohen gratë e prekura me iniciativën ku do të mbështetën gratë tjera”, ka theksuar ajo.
Në fund, Sadiku dha një mesazh që gratë të kontrollohen më kohë.
“Mesazhi im është që gratë të kontrollohen dhe ta parandalojnë këtë sëmundje. Nuk vdesin të gjitha nga kanceri i gjirit nëse trajtohet me kohë”, ka përfunduar Sadiku. /Telegrafi/