Solidariteti dhe humanizmi, janë kauzat e tjera të cilat ngriten gjatë muajit tetor, ku organizata “Kryqi i Kuq” dega në Gjakovë këtë muaj e shënon me aktivitete të ndryshme.
Në një intervistë dhënë Telegrafit, Fllanza Bakija – Lama, sekretare e “Kryqit të Kuq” – dega në Gjakovë, përmendi aktivitet përmes së cilave kjo organizatë e shënon këtë muaj.
“Kryqi i Kuq, në kuadër të muajit të solidartetit është duke i realizuar dy aktivitete apo dy projekte. Projekti i parë është fuqizimi i Kryqit të Kuq dhe ngritja e fondeve, dhe ky projekt është i përkrahur nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ku përmes këtij projekti bëjmë prezantimin e Kryqit të Kuq në të gjitha shkollat e Komunës së Gjakovës, dhe kërkojmë nga nxënësit që të bëhen anëtarë të Kryqit të Kuq. Ndërsa projekti i dytë është një natë filmi projekt i cili realizohet nga vullnetarët e Kryqit të Kuq.”– tha fillimisht Bakija – Lama.
Bakija – Lama në apelin e saj kërkoi që qytetarët të jenë më human gjatë këtij muaji, duke potencuar që më mirë ndihen ata që japin ndihmë, sesa ata që e pranojnë këtë ndihmë.
“Apeli im për të gjithë qytetarët është që të jenë më human, të ndihmojnë të tjerët, sepse nuk varfërohen nëse ndajnë pak nga vetja për t’i ndihmuar të tjerët, edhe besoj që më të lumtur janë ata që japin, se ata që marrin.”, shtoi ndër të tjera Bakija – Lama, shkruan Telegrafi.
Intervistën e plotë me Sekretaren e Kryqit të Kuq – Dega në Gjakovë, Fllanza Bakija – Lama, mund ta ndiqni më poshtë. /Telegrafi/