Telegrafi

Tetori i librit në Konsullatën e Shqipërisë dhe të Kosovës në Milano

Në kuadrin e muajit të librit, në një nga mjediset e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës në Milano. u organizua një takim me shkrimtarët Durim Taçi dhe Irma Kurti, si dhe njohësin e historisë dhe kulturës shqiptare, Nicola Eynard. Takimi u drejtua nga Sonila Alushi, gazetare, aktiviste dhe presidente e Fondacionit “Migra”.

Me këtë rast, Kurti foli për fillimet e hershme të karrierës letrare, eksperiencën si autore e teksteve të këngëve të suksesshme në festivale në RTSH, si dhe recitoi poezi nga librat e saj. Ndërkaq, Taçi – shkrimtar dhe përkthyes i më shumë se 50 librave nga anglishtja dhe italishtja – foli për këtë eksperiencë shumëvjeçare si dhe u ndal në librin e tij të ri autobiografik, që sapo ka dalë nga shtypi të titulluar “Extra Time” nën logon e Botimeve Fishta. Ai lexoi për të pranishmit disa fragmente nga kjo vepër.