Site icon Telegrafi

Tetori i burrave që deshëm, urryem dhe falëm

Ilustrim

Mira Kazhani

Nuk besoj te letrat, filxhanët kokëposhtë, dora dhe vijat e saj por kam një fiksim ose respekt për ligjet e universit, për Hënën dhe forcën që ajo ka në jetën tonë. Sa herë është e plotë, një burrë i huaj, njohës i mirë i universit dhe gurëve të çmuar më ka mësuar që të vendos në parvaz një gur të mirë.

E bëj gjithmonë dhe i lutem Hënës së plotë. Kam edhe një astrologe që i besoj. Kam parë dhe Sekretin po më shumë e kam personale. E shoh jetën time si një frut i marrëdhënies me universin. Ndoshta një vëzhgim google-or aspak i vështirë më ndihmoi sot që duke marrë shkak nga ky Tetor të ndaj me ju disa ditëlindje shqiptarësh aspak të zakonshëm.

Disa kanë vdekur po kanë lënë pas histori, princesha, skandale, vrasje, luftëra, viza, dy gishta lart, një grusht, një edicion lajmesh. Disa i kanë marrë sekretet me vete, të tjerë i komandojnë sekretet por të gjithë i bashkon universi; kanë lindur në Tetor.

Janë shenja e peshores, të lindur në tetor, në fshat, në periferi, në familje të varfra apo të pasura. Ata i bashkon jo vetëm muaji tetor, por edhe legjenda personale. Të gjithë kanë bërë histori me jetën e tyre.

Ahmet Zogu, i lindur në 8 tetor 1895 është një nga figurat që bëri histori me jetën e tij. Pushtetin politik, shpalljen mbret, atentatet, miqtë e armiqtë, martesa me një princeshë dhe futja e jetës glamur në vendin me qerpiç.

Enver Hoxha, i lindur në 16 tetor të vitit 1905, udhëheqësi më jetëgjatë në pushtet. Mbajti vendin të izoluar. Vendosi diktaturën dhe vdiq po si udhëheqës, pa përjetuar asnjë ndëshkim për krimet e tij.

Ramiz Alia, i lindur më 18 tetor 1925, zëvendësoi Enver Hoxhën, në periudhën më të varfër të vendit. Iku duke marrë me vete sekretet e tij në varr por do mbahet mend për kalimin e pushtetit pa gjak. Meritë që nuk i mohohet. Me gjithë mëkatet, heshtjen dhe elegancën që la pas histori.

Sali Berisha, ishte ai që mori historinë nga duart e Ramiz Alisë, me ditëlindje në 15 tetor 1944 (të paktën me letra). Është ende njeriu që bëhet shkak për historinë dhe kundër-historinë tonë. Do të mbahet mend për pushtetin e madh politik, rrënimin, vitin 97 dhe sidomos riardhjen në pushtet me disa suksese si NATO dhe liberalizimi i vizave.

Dy personazhe të tjerë që kanë bërë historinë e medias janë Dritan Hoxha, presidenti i ndjerë i televizionit më të madh në vend Top Channel dhe radios Top Albania. Lindi më 16 tetor 1968. Ai do të mbahet mend si gjeniu që i vuri të gjithë në punë. Pa atë, shiheni vetë si duken gjërat. Ka lindur në datën 16 tetor.

Aleksandër Frangaj i lindur në 4 tetor 1968 gjithashtu është fenomeni i nuhatjes politike. Drejton televizionin më të ndjekur në vend, Klan. E ka nisur si gazetar i thjeshtë dhe i varfër si të gjithë shqiptarët në vitet ‘90 sot është një nga njerëzit më të fuqishëm në vend me impakt te çdo kryeministër. /Tiranapost/

Exit mobile version