Sot bëhen 18 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.
Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet.
Agim Ramadani lindi në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, më 3 maj të vitit 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen shkollën teknike në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoj si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer.
Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.
Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.
Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare.
Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht- duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana.
Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi la pas vetes djemtë, Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.