Telegrafi

Tetëdhjetë gra nga Gjakova aderojnë në PDK

Gra të specializuara në fusha të ndryshme, si mjeke, psikologe, sociologe, juriste etj, sot, solemnisht nga zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, kryetarja e GD-së, Justina Shiroka Pula dhe anëtari i kryesisë Elmi Reçica morën librezat e anëtarësimit në PDK

:Në organizim të degës së Gruas Demokratike të PDK-së në Gjakovë dhe kryetares së GD-së, Justina Shiroka-Pula, sot solemnisht është bërë aderimi i mbi 80 grave të Gjakovës, specialiste të fushave të ndryshme. Takimin solemn e hapi kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa. Ai u dëshiroi të gjitha grave mirëseardhje në shtëpinë e madhe të PDK-së.

Sipas kryetares së Degës së Gruas së PDK-së në Gjakovë, Arbnesha Kuçi, aderimi i këtyre grave në PDK rritë potencialin krijues të grave dhe shton vlerat e përgjithshme për të arritur objektiva të caktuara”, thuhet në njoftimin për media.

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, me këtë rast uroi të gjitha gratë për hapin e ndërmarrë, duke u dëshiruar sukses në karrierën politike. “Jam në qytetin e ideve politike, dhe ato nuk mund të realizohen pa mendjen e gruas, dhe ky aderim i juaji sot po e dëshmon këtë dhe Gjakovës po i rikthehet gradualisht krenaria e dikurshme“ tha Hoxhaj.

Anëtari i kryesisë së PDK-së Elmi Reçica përgëzoi kryetaren e degës ë GD-së Arbënesha Kuçi e veçanërisht kryetarene Gruas Demokratike Justina Shiroka – Pula për punën e madhe që po e bëjnë për PDK-në. “ Kryetarja Shiroka-Pula na ka nxitur ne në kryesi që të punojmë edhe më shumë dhe ju që tani po i bashkoheni vizionit të PDK-së do ta keni të lehtë bashkëpunimin më një kryetare të till”.

Kryetarja e GD-së, Justina Shiroka-Pula, përgëzoi gratë që kanë zgjedhur të aderojnë në PDK, në partinë, siç tha ajo, të hapur për vlera politike dhe potenciale krijuese. “Politikës në Kosovë, kurrë më shumë se sot, i duhen gra aktere, që i bëjnë gjërat që të ndodhin e jo gra që presin dhe vrojtojnë. PDK-ja dhe Gruaja Demokratike është shtëpi e hapur për të gjitha gratë që kanë potencialin krijues në çdo fushë, kanë iniciativën dhe vullnetin e bashkimit, në atë mënyrë që potencialin individual krijues ta shndërrojnë në vlerë politike” theksoi Shiroka-Pula me këtë rast.

Në takimin solemn të këtij aderimi kontriboi me diskutimin e saj edhe anëtarja e kryesisë së PDK-së Safete Hadërxhonaj.