Ish-bashkëshorti i Amy Winehouse, Blake Fielder-Civil, është duke kërkuar një milion funte (1.11 milion euro) nga trashëgimia e saj, tetë vite pas vdekjes tragjike të këngëtares.
Sipas The Sun, ai kërkon një pagesë mujore dhe një shumë të plotë nga pasuria e saj, mirëpo familja e artistes së ndjerë thotë se ai nuk meriton asgjë.
Një burim i afërt me familjen ka thënë se Blake e ka shpenzuar shumicën e pasurisë së Amyt kur ata ishin në lidhje.
“Ai po ashtu e ka kaluar pjesën më të madhe të martesës së tyre në burg, duke sjellë asgjë pos dhimbjes për të gjithë. T’i japësh atij akoma para, do të ishte e tepërt”, ka thënë burimi për tabloidin britanik.
Amy dhe Blake kanë qenë për dy vite të martuar (2007-2009), ndërsa thuhet se për shkurorëzimin e tyre, Winehouse i kishte paguar 250.000 funte (278.000 euro) ish-bashkëshortit të saj.
Në të kaluarën, Fielder-Civil ka pranuar se ai ishte personi që i kishte dhënë heroinë për herë të parë këngëtares së ndjerë.
Kujtojmë që pas problemeve të shumta me alkoolin dhe drogën, Amy Winehouse ndërroi jetë në vitin 2011 (në moshë 27 vjeçare), si pasojë e helmimit me alkool. /Telegrafi/