Sot bëhen tetë vjet nga largimi i pllakës përkujtimore të dëshmorëve të kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së.
Një numër shumë i madh i forcave policie serbe, të shoqëruara nga njësitet e xhandarmërisë, kanë marrë pjesë në operacionin e heqjes së lapidarit të vendosur para godinës së administratës së Preshevës.
Fillimisht një numër prej 200 pjesëtarësh të xhandarmerisë mbërritën në shesh, ndërsa rreth orës 07:00 të mëngjesit një ekskavator shkuli dhe tërhoqi lapidarin nga vendi i vendosur. Më pas, lapidari është hedhur në një kamion, nga ku është transportuar në drejtim të panjohur.
Në aktin e heqjes së lapidarit kanë marrë pjesë edhe komandanti i xhandarmërisë, Bratislav Dikiq, kryeshefi i policisë së Vranjës si dhe komandanti i stacionit policor të Preshevës, Avdi Bajrami.
Një pjesë e vogël e qytetarëve kanë ndjekur operacionin e heqjes, ndërsa nuk ka pasur ndonjë reagim të popullsisë dhe as ndonjë incident.