Site icon Telegrafi

Tetë vjet moszhvillim ekonomik

Tetë vjet pas pavarësisë së Kosovës, ekonomia po përballet me një varg problemesh. Sundimi i rendit dhe ligjit vazhdon të mbetet kanceri i shtetit të Kosovës. Nuk respektohen kontratat biznesore dhe ato nuk shqyrtohen në kohë reale.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, pas tetë vitesh publikoj listën e gjatë të uzurpatorëve të pronave shoqërore e nuk i bënë ende publike investitorët që e molisën privatizimin. Nuk u zbardhë e vërteta e djegies së dokumenteve të ish-Agjencionit Kosovarë të Mirëbesimit. Askush nuk tregoj përgjegjësi. Shumë projekte madhore ishin premtuar se do të finalizohen por ndodhi e kundërta.

Ndërtimi apo rindërtimi i Kosovës së Re mbeti në pikën zero. Trepça nuk u aktivizua ashtu siç ishte premtua. Sektori i prodhimit u mund nga importi. Papunësia mbi 32 për qind. Evazioni fiskal për një vit arrin deri në 500 milionë euro. Dështimi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, solli dëme të konsiderueshme, dërgoj vendin në arbitrazh.

Rritja e TVSH-së nga 16 në 18 për qind ndikoj drejtpërsëdrejti në rritje të të hyrave buxhetore duke varfëruar xhepat e qytetarëve. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), që ndodhi një vit më parë, ende nuk ka prodhuar ndonjë efekt. Ka shumë punë deri në fillimin e zbatimit të saj.

Shtetet fqinjë bënë fushatë të fortë në nxitje të investimeve të huaja, ndërsa Kosova nuk tregojë aftësi për nxitje të ligjit që mundëson investime strategjike me kushte të favorshme. Si pasoj, për këto tetë vit u tkurren investimet e huaja.

Brezovica mbetet larg koncesionimit. Pasurit natyrore u lanë në mëshirën e kohës. Me apo pa arsye investimet publike u shtrinë në asfalt. Përveç autostradës së kombit, shumë rrugë magjistrale mbetën me gropa e çarje.

Normat e interesit për kredi më në fund bankat i ulën sa për të thënë. Ndërsa shitja e distribucionit dhe koncesionimi i Aeroportit janë disa nga hapat që thuhet se po dalin pozitiv për këto tetë vite.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, i cili ishte ministër në periudhën e para pavarësisë, shprehet i zhgënjyer me degradimet që ju bënë shtetit.

“Procesi i privatizimit degradoi në atë masë sa ka përfunduar deri tek gjërat më tragjike siç e dimë. Kurse dëmet vazhdojnë ti faturohen Kosovës edhe ekonomisë së Kosovës. Një institucion siç ka qenë PTK e vlerësuar dikun700 milion euro sot i ka ardhur puna as 200 milion nuk ti jap askush. Mos aktivizimi i Trepçës deri sot. Shiheni se çfarë po ndodh me kontratën me Brezovicën. Shiheni çka ka ndodh me shitjen e distribucionit, ju ka fal dikujt, edhe shërbimet janë askund afër atyre të pritura, pra efektet nga shitja nuk janë realizuar as për së afërmi… Është shumë, nënë kriteret e evazioni fiskal pranohet botërisht që kap një shumë prej 400 deri në 500 milion euro në vit d he nuk ka program e as vendim të kësaj qeverie që të fillohet luftimi i evazionit apo ai luftim i evazionit të pasqyrohet në të hyrat buxhetore. Buxheti i këtij viti që është aprovuar është shtuar për 50 milion në krahasim me vitin paraprakë dhe ai shtim është i bazuar kryesisht në rritjen e akcizës dhe në rritjen e TVSH-së prej 16 në 18 %. Asnjë segment i buxhetit nuk reflekton në efekt të luftimit të evazionit fiskal”, tha Shatri.

Ai po ashtu tha se është stopuar dhe ka mbet në pikën zero ndërtimi i Kosovës së Re. Sipas tij, prej vitit 2007 kur ka qenë niveli më i lartë i investimeve të huaja direkte, kemi mbërri në vitin 2014 me rënë nën 50 milion euro.

Edhe Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, tha se pritjet kanë qenë më të mëdha. Qeveria thotë ai, nuk i përmbushi sa duhet kërkesat elementare të qytetarëve.

“Realisht pritjet kanë qenë më të mëdha pa marr parasysh se ne flasim për një përshtypje të përgjithshme, apo qoftë që edhe Qeveria ka pritë ma shumë. Mos të flasim për njerëzit që ndoshta kanë pritë pavarësinë si një moment kur do të bëhet një boom në rrafshin e investimeve. Edhe më tutje kanë mbet në nivel të fjalëve. Pa marrë parasysh që ka një investitorë të identifikuar që mund të investoj në Kosovën ne Re, por edhe më tutje nuk ka një hap konkret që na thonë që me 2010 apo kur Kosova do të ketë potenciale prodhuese. Në mënyrën se si është konceptuar Kosova e Re nuk është një zgjidhje afatgjate, nuk garanton stabilitet energjetikë. Problemi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore është një dështim i plotë. Meqenëse privatizimi nuk ka ndikuar në zhvillime ekonomike shumë investitorë nuk kanë qenë të gatshëm të aktivizohen në prodhim dhe realisht në vend që të krijohen vende të reja të punës janë shuar vendet e punës. Rasti i PTK-së ka dëshmuar qartë se sa institucionet, duke filluar prej Qeverisë dhe Kuvendit janë të pa përgatitura për të udhëhequr projekte të mëdha”, tha Rexhepi.

Ai për procesin e koncesionimit të Brezovicës mbetet të shihet në të ardhmen se si do të shkoj procesi. Sipas tij edhe më tutje investimet publike janë të orientuar në asfalt. Ndërsa sektori privat , sipas Rexhepit, më tepër është i orientuar kah profilet ku aty për aty sjellin përfitime se sa në investimet afatgjate. Ai po ashtu tha se Kosova ka potenciale por ka edhe mungesë të energjisë elektrike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se përveç deklaratave për zhvillim ekonomik nuk ka pasur ndonjë rezultat në këtë sektorë. Madje, sipas tij, vendi ishte më i zhvilluar ekonomikisht para shpalljes së pavarësisë.

“Pas vitit 1999 në Kosovë shumë më tepër është fol për ekonomi se sa që është bërë. Duhet të ndahet në dy dimensione kohore, ajo para shpalljes së pavarësisë dhe pas shpalljes së pavarësisë, dhe po e them me keqardhje që trendët pozitive për zhvillim ekonomik në Kosovë kanë shumë aktive dhe më të fuqishme para shpalljes së pavarësisë se sa pas shpalljes së pavarësisë. E them këtë nga dimensioni psikologjik i cili e dëmton imazhin e Kosovës sepse në atë moment kur u bartën kompetencat çdo gjë ishte në duar të kosovarëve kur edhe filloj stagnimi ose dështimi i zhvillimit ekonomik”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se gjatë këtyre viteve ka pasur edhe hapa pozitiv në sektorin financiar, si me arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare financiare. Por, sipas tij agjendat politike të viteve të fundit kanë paralizuar zhvillimin ekonomik.

Berat Rukiqi, njohës i çështjeve ekonomike, tha se pritjet ishin shumë më të mëdha dhe për këtë qeverisja duhet të mundohet më shumë. Procesi i MSA-së duhet të merret më seriozisht, tha ai.

“Pritjet për zhvillim ekonomik pas pavarësisë kanë qenë shumë të larta. Unë mendoj që duhet përfundimisht tash edhe me procesin e MSA-së që në masë të madhe ti trajton reformat ekonomike të brendshme të cilat duhet me i plotësuar një vend për me mund me avancuar në procesin e integrimit Evropian. Normalisht edhe presioni social edhe shumë çështje tjera që lidhen me zhvillimin dhe shtet ndërtimin duhet logjikisht me na dërgua nga ajo që me u koncentrua në zhvillim ekonomik. Jo vetëm një pjesë e shoqërisë por e tërë shoqëria me pas atë si prioritet dhe diskursi publik me u dominua nga kjo temë. Përndryshe nëse vazhdohet që të kemi një diskurs publik që dominohet nga temat që kanë vetëm kuptim për politikën ditore apo që t janë të veshura me tone nacionaliste atëherë ne do të kemi edhe shumë vite tjera kështu”, tha Rukiqi.

Përndryshe, edhe pas tetë vjetësh shteti të hyrat buxhetore i inkason kryesisht nga Doganat e Kosovës. Deficiti tregtarë çdo vit po thellohet. /KosovaPress/Telegrafi/

Exit mobile version