Telegrafi

Tetë raste të reja me COVID-19 në Kamenicë, Kastrati apelon qytetarët të rrinë në shtëpi

Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, u ka bërë apel qytetarëve të kësaj komune që të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndjekin udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, nga i cili së fundi janë prekur edhe tetë qytetarë.

Kastrati, përmes një postimi në Facebook, ka porositur qytetarët se është shumë me rëndësi t’i zbatojnë të gjitha udhëzimet dhe të mos kenë kontakte të afërta me të tjerët.

Postimi i plotë i Kastratit:

“Nga 18 testime të kryera sot në IKShP, fatkeqësisht tetë (8) prej tyre kanë rezultuar pozitiv. Katër raste në Topanicë dhe katër raste në Hodonoc.

Numri në total i të infektuarve në komunën tonë ka arritur në 23 dhe shpresoj të mos kemi raste të tjera.

Është shumë me rëndësi t’i zbatoni të gjitha udhëzimet dhe të mos keni kontakte të afërta me të tjerët.

Jepeni secili kontributin tuaj duke qëndru #n’shpi”, ka shkruar Kastrati.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë të mërkurës 36 raste kanë rezultuar pozitive në testin për COVID-19. /Telegrafi/