Kosova nën regjinë e Bernard Challandes ka mbajtur stërvitjen zyrtare në stadiumin “Todor Proeski Arena”.
Ekipi i Kosovës bëri një stërvitje të lehtë për të ndjerë edhe terrenin në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.
Kosova në ndeshje ndaj Maqedonisë do të jetë e mangët si asnjëherë më parë në ndeshjet e fundit.
Përzgjedhësi Bernard Callandes nuk do t’i ketë me vete tetë futbollistë të rëndësishëm në ndeshjen e madhe ndaj Maqedonisë së Veriut, lojtarë që kanë qenë të ftuar në ndeshjet e fundit.
Për këtë ndeshje mungojnë emra si Milot Rashica, Idriz Voca, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Samir Ujkani shkaku i lëndimeve.
Mungesat e tyre ishin bërë të ditura para disa ditësh.
Vedat Muriqi edhe pse tentoi të jetë gati, nuk ia arriti, pasi kishte vetëm pak ditë që ishte bashkuar me Lazion pas infektimit me COVID-19.
Amir Rrahmani ka një rast më specifik pasi që në skuadrën e tij kanë rezultuar dy lojtarë me COVID-19 dhe skuadra e tij është në karantinë.
I fundit që mungon është Bernard Berisha i cili nuk është ftuar nga Bernard Challandes për këtë ndeshje, pas problemeve të shkaktuara në ndeshjen e fundit ndaj Greqisë.
Megjithatë, Kosova ka të ftuar shumë futbollistë të zotë, të cilët mund t’ia dalin nesër mbrëma. /Telegrafi/