Telegrafi

Tetë milionë euro vlera e sekuestrimit nga aksioni i sotëm policor

Kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi pas aksionit të sotëm policor për lirimin e pronave të uzurpuara bëri të ditur se vlera e përgjithshme e sekuestrimit në Prishtinë dhe Ferizaj është 8 milionë euro.

Ai tha se rreth 100 policë kanë marrë pjesë në aksionin e sotëm, ndërsa janë liruar shtatë lokale në Prishtinë, katër në Ferizaj dhe 57 hektarë tokë.

Kryeprokurori Lumezi tha se tashmë ka filluar procedura penale kundër personave që kanë uzurpuar këto prona, raporton Telegrafi.

Lumezi po ashtu bëri të ditur se veprimet e institucioneve kundër uzurpimit të pronave do të intensifikohen, me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeprokuri i shtetit tha se lidhur me këto aksione nuk do të ketë persona të fuqishëm apo persona të politikës, por do të veprojnë në bazë të fakteve.

Shaip Havolli, nga Policia e Kosovës bëri të ditur se aksioni i sotëm policor është bërë me urdhër të Prokurorit të shtetit.

Ai bëri të ditur se aksioni në Prishtinë është në përfundim e sipër.

Havolli sqaroi se shtatë lokale janë liruar në Prishtinë, katër në Ferizaj si dhe 57 hektarë tokë. /Telegrafi/