Telegrafi

Tetë mësimdhënës gjykohen për falsifikim diplomash

Aktakuza e ngritur nga prokurori Shqipdon Fazliu ngarkon arsimtarët L.D., R.S., J.S., M.S.,Xh.H., N.H., A.H., dhe J.V. se kanë vënë në lajthim Universitetin e Prishtinës e më pas edhe organet kompetente komunale, gjegjësisht Drejtorinë e Arsimit në Gjilan.

Të dyshuarit, si thuhet në aktakuzë, edhe pse e kanë ditur se e kanë kryer SHLP-në në Gjakovë, në mënyrë të kundërligjshme e kanë shtyrë Universitetin e Prishtinës që t’iu lëshojë diplomat mbi përgatitjen e lartë shkollore, kurse më pas dokumentin e tillë të rremë e kanë vënë në përdorim në komunën e Gjilanit dhe atë të Kamenicës, duke aplikuar dhe duke u punësuar si mësimdhënës në shkollat fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, “Skënderbeu” në Lisockë të Kamenicës, shkolla fillore “Afërdita” në Gadish të Gjilanit, “Nazim Hikmet” në Dobërçan dhe “Rexhep Elmazi” në Gjilan, raporton rajonipress.

Përfaqësuesi i aktakuzës Ismet Ukshini tha se për këtë proces gjyqësor do të thirren si dëshmitarë edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, përfaqësuesit e SHLP-së “Bajram Curri” në Gjakovë, përfaqësuesi ligjor i UP-së dhe përfaqësuesi ligjor i MASHT.

Pasi u është lexuar aktakuza, të gjithë të akuzuarit e kanë mohuar kategorikisht veprën, duke thënë se ata të gjitha provimet dhe diplomën në Gjakovë i kanë kryer në mënyrë të rregullt.

Njëri nga avokatët mbrojtës, Shemsedin Piraj ka kërkuar nga trupi gjykues që të pezullohet rasti ndaj mësuesve.

Gjykimi vazhdon me marrjen në pyetje të përfaqësuesve të institucioneve gjegjëse, ku dyshohet se të akuzuarit i kanë vënë në lajthitje. /Telegrafi/