Tetë ish-funksionarë të lartë janë larguar nga kryesia e OBRM-PDUKM-së. Mes anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të OBRM-PDUKM-së, më nuk janë Vlladimir Peshevski, Emil Dimitriev, Zoran Stavrevski, Gordana Jankulloska, Mile Janakieski, Martin Protogjer dhe Sasho Mijallkov, i cili para fillimit të mbledhjes personalisht dha dorëheqje nga funksionet partiake.
Në Komitetin Ekzekutiv në OBRM-PDUKM gjithashtu nuk do të jetë edhe Kiril Minovski – ish-ministër i Financave, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Disa nga këta ish-funksionarë të OBRM-PDUKM-së përmenden në bombat e LSDM-së, ndërsa disa mbetën edhe pa pasaporta për shkak të akuzave që kundër tyre ka ngritur PSP-ja.
Mbrëmë në mbledhje e cila zgjati deri në mesnatë, OBRM-PDUKM-ja zgjodhi 19 persona për anëtarë të rinj në Komitetin Ekzekutiv./Telegrafi/