Site icon Telegrafi

Testohen 180 kandidatë për prokurorë të shtetit në Kosovë

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri po mbahet testi me shkrim i kandidatëve, të cilët kanë kaluar testin kualifikues për prokurorë të shtetit.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, teksa në kuadër të këtij procesi rekrutues të 16 prokurorëve në prokuroritë themelore morën pjesë 180 kandidatë, prej të cilëve 62 kandidatë i përkasin gjinisë femërore, kurse një (1) është nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

“Mbajtjen e testit të sotëm me shkrim e mbikëqyren anëtarët e Komisionit për Rekrutim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kurse për të monitoruar ketë proces ishin të pranishëm përfaqësues të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, ndërsa për të vëzhguar ishin të pranishëm përfaqësues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST dhe përfaqësues të Projektit të Ambasadës Britanike në Kosovë “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”, përmes partnerëve implementues “Axiom International”, thuhet në komunikatë.

Procesi i rekrutimit të prokurorëve ka filluar me shpalljen e konkursit në qershor të vitit 2020 dhe me rishpalljen e tij në maj të vitit 2021.

Testi me shkrim për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit është pjesë e fazës së dytë të testimit të përgjithshëm, të cilin Këshilli Prokurorial i Kosovës e menaxhon sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version