Në Dibër është duke u realizuar skriningu i popullatës dhe nga 24 prilli deri sot, sipas të dhënave të mjekëve amë, janë testuar gjithsej 1.190 persona. Këtë e deklaroi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili shtoi se bëhet fjalë për aktivitet që ka të bëjë me vendim të Ministrisë të Shëndetësisë, ndërsa tha se nuk ka persona të rinj të infektuar nga coronavirusi, kurse numri i personave në vetizolim është 16.
Duka ka informuar se tre dibranë, të cilët nuk kanë respektuar orën policore, do të ballafaqohen me ligjin dhe shtoi se aktakuzat vetëm se janë përgatitur nga Prokuroria Publike Themelore.
“Tërësisht duhet të respektohet orari i orës policore”, tha Duka, ndërsa apeloi tek qytetarët të respektojnë orën policore dhe të gjithë masat të tjera qeveritare.
“Të gjithë kur dalim jashtë, duhet të kemi maska dhe doreza. Kjo është në interes të popullatës, por edhe obligim ligjor”, informoi Duka.
Në ndërkohë, në qytet dhe fshatra ka vazhduar dezinfektimi dhe aktualisht vazhdon edhe ndarja e ndihmave për nevojat e familjeve me probleme sociale./Telegrafi/