Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga e premtja në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, mund të kryhen edhe testet diagnostike rapide të antigjenit SAR COV, krahas testimeve serologjike për praninë e IgG dhe IgM, të cilat janë lejuar deri tash në KPSH.
Por, çka është testi rapid i antigjenit?
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, ka shpjeguar për Telegrafin se ky test është i ngjashëm sikur PCR, apo testi serologjik, vetëm se konsiderohet më i shpejt.
Qytetarët të cilët kanë shenja të COVID-19, mund të paraqiten te QMF-të, në të gjitha komunat e vendit për t’u testuar.
Testi bëhet përmes marrjes së gjakut dhe rezultati del brenda 15- 20 minutave. Do të thotë që një person e di më shpejt nëse duhet të izolohet për të shmangur transmetimin e virusit tek të tjerët.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike – (IKSHPK) ka njoftuar të premten se gjatë 24 orëve të fundit 11 pacientë me coronavirus kanë vdekur, ndërsa janë regjistruar 855 raste të reja infektimit.
Ky institut ka kryer 1,930 testime brenda 24 orëve.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (73, 72, 64 vjeç), Prizren 2 raste (88, 82 vjeç), Drenas 1 rast (70 vjeç), Ferizaj 1 rast (70 vjeç), Gjakovë 1 rast (71 vjeç), Gjilan 1 rast (79 vjeç), Kamenicë 1 rast (92 vjeç), Mitrovicë 1 rast (82 vjeç)”.
Më së shumti raste të infektimit ka në Komunën e Prishtinës, gjithsej, 298 sosh.
Që nga 13 marsi, kur në Kosovë janë shënuar rastet e para me koronavirus, e deri tash 32,877 raste kanë rezultuar pozitive, ndërsa kanë vdekur 885 njerëz. /Telegrafi/