Në Maqedoni gjysma e nxënësve të përfshirë në arsimin fillor dhe të mesëm nuk kanë njohuri themelore. Arritjet e tyre kanë stagnuar ndërsa kjo bazohet sipas rezultateve të mara nga testimi PISA i zhvilluar nga viti 2000 deri në vitin 2015.
Në bazë të këtyre të dhënave, UNICEF-i, OECD (Organizata ekonomike për zhvillim dhe bashkëpunim) dhe Ministria e Arsimit debatuan rreth një propozim projekti për të tejkaluar këto mangësi.
Mes propozimeve që do të mund të bëheshin pjesë e Ligjit të ri për arsim fillor dhe të mesëm do të ishin reforma gjatë vlerësimit nacional, revidim të maturës shtetërore dhe zhvillim të sistemit profesional për zhvillim të mësimdhënësve.
Gjithashtu, me këtë rast u tha se është e rëndësishme të vendosen qëllime për matje të përparimit ndërsa të gjitha planet e mira në letër duhet të kthehen në realitet.
“Nëse shohim rezultatet e testimeve ndërkombëtare do të shohim se rezultatet mesatare tek nxënësit kanë stagnuar gjatë dekadës së fundit. Ekziston një përqindje e madhe e nxënësve të cilët nuk zhvillojnë kompetencat bazë që u janë të nevojshme për sukses dhe përparim më tutje në jetë. Duhet të rikujtojmë nëse vallë profesioni i mësuesisë po vlerësohet dhe nëse po merr mbështetjen e duhur për të pasur mësues të trajnuar dhe të kualifikuar”, tha Hana Kiçen nga OECD.
Ndërsa ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, tha se është e domosdoshme që Qeveria e Maqedonisë të ketë raporte të tilla dhe analiza të bazuara në fakte, në mënyrë që siç tha, t’i ndërtojnë politikat dhe të arrihet arsim më cilësor./Alsat/