Site icon Telegrafi

Testi i Maturës, pyetjet nuk do të jenë të njëjta në tërë Kosovën

Provimi i Maturës Shtetërore këtë vit do të mbahet në katër regjione, në katër ditë të ndryshme, e kjo është bërë me qëllimin që të arrihen rezultate sa më reale dhe të ketë një administrim sa më të mirë të provimit.

Edhe pse testi do të organizohet në regjione të ndara dhe jo për një ditë, edhe pyetjet e testit do të jenë të ndryshme.

Kryetari i Komisionit të Maturës Shtetërore, Fehmi Hysenaj, në një intervistë për KosovaPress është shprehur i bindur se organizimi i maturës shtetërore në katër regjione do të jetë një formë më e mirë për administrimin e testit.

“Arsyeja kryesore pse kësaj radhe kemi vendosur që të jetë nëpër regjione dhe të mos jetë në të njëjtën ditë në tërë Kosovës është që çështja se në vitet e mëparshme ka dështuar pikërisht administrimi i testit. Kur them ka dështuar, mund të them se ka dështuar në masë të madhe, sepse rezultatet që janë prodhuar nga ai test nuk kanë qenë reale. Kjo gjithsesi do të jetë një formë për administrim më të lehtë, më të mirë dhe presim që nxënësit që kanë arritur rezultat gjatë tri viteve të shkollimit të mesëm të jenë të parët. Jo siç ka ndodhur në të kaluarën që ndoshta një nxënës me një sukses të mirë të jetë ndër të parët”, ka thënë Hysenaj.

Provimi i Maturës shtetërore do të ketë 200 pyetje, ku kalueshmëria e këtij testi është 40 për qind dhe për secilin regjion pyetjet do të jenë të ndryshme.

“Pyetjet nuk do të jenë të njëjta, ekspertët të cilët i kemi angazhuar nga divizioni me një kontratë ata janë shumica prej tyre profesor universitar dhe do të kërkohet nga ta që testet të jenë ekuivalente, por kurrsesi të njëjta. Asnjë pyetje nuk guxon të jetë e njëjtë prej një regjioni në një regjion tjetër, por ekuivalente po për nga vlera.

Që të ketë një administrim sa më të mirë të provimit, MAShT ka ndërmarrë edhe disa masa në mënyrë që të eliminohet mundësia e kopjimit gjatë testit.

Nxënësit nuk do të kenë mundësi që në test të hyjnë me telefona, madje këtë herë telefonat janë ndaluar edhe për administruesit.

“Janë paraparë të gjitha masat sipas ligjit, kanë qenë edhe më herët por nuk janë zbatuar, kësaj here do të zbatohen strikt. Ne do të bëjmë kontrata me të gjithë akterët të cilët janë të përfshirë në këtë proces dhe në kuadër të atyre kontratave do të ketë klauzola ku ata do të mund edhe të humbasin vendin e punës dhe të iniciohet procedurë ligjore për ta. Nxënësit që zihen duke kopjuar brenda klasës në qoftë se lajmërohen gjithsesi që do të ketë masa, mund edhe të përjashtohen, mund t’iu tërhiqet vërejtja herën e parë, por kësaj radhe testi do të mbahet në kushte shumë më të sigurta. Do të thotë çështjen e kopjimit do ta parandalojmë dhe normalisht që administruesit do të kujdesen që aty të jetë një ambient miqësor, një ambient që nxënësit të dinë, të munden dhe ta japin maksimumin e tyre”, ka thënë Hysenaj.

Edhe numri i nxënësve nëpër klasa gjatë mbajtjes së provimit do të jetë i kufizuar, ku në një klasë nuk mund të jenë më shumë se 15 nxënës.

“Minimumi do të jetë 15 nxënës në një klasë, 15, 16, 17, do të thotë aty do të sillet nuk do të ketë shumë, por varësisht ndonjë klasë ku mbetet një pjesë e dy- tre nxënësve nuk bëhet një klasë e re. Kështu që përafërsisht 15 nxënës do të jenë, një administrator do të jetë i ngarkuar për 15 nxënës, kurse për pesë administrator do të jetë një mbikëqyrës që do t’i monitoroj ata pesë administrator. Secila qendër e testimit do ta ketë kryetarin e komisionit dhe dy anëtar që janë  nga DKA-të”, ka treguar ai.

Sikurse çdo vit edhe këtë herë testi do të jetë i ndarë në dy ditë, ku në ditën e parë testi do të jetë nga lëndët e përgjithshme gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë angleze, ndërsa ditën e dytë do të kenë pyetje varësisht nga profili i shkollimit të tyre.

Provimit të Maturës Shtetërore së pari do t’i nënshtrohet regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit, ku në këtë regjion testi i parë do të mbahet më 28 maj, ndërsa testi i dytë më 5 qershor.

Vetëm një ditë më pas më  29 maj provimit të parë të maturës do t’i nënshtrohet regjioni i Prishtinës, ndërsa testin e dytë do ta mbajë më 6 qershor. Më 30 maj testin e parë, ndërsa më 7 qershor testin e dytë do ta mbajë regjioni i Prizrenit dhe Gjakovës. Ndërsa, më 31 maj testin e parë dhe më 8 qershor testin e dytë do ta mbajë regjioni i Pejës dhe Mitrovicës.

Provimit të maturës shtetërore do t’i nënshtrohen 29 mijë e 816 nxënës në të gjithë Kosovën.

Foto: Arkiv

Exit mobile version