Telegrafi

Mbajtja e Testit të Maturës dhe atij të Arritshmërisë me shumë parregullsi, Gola: Kostoja është e madhe, gjeneratat po kalojnë

Foto: Arkiv

Mbi 23 mijë nxënës i janë nënshtruar këtë javë Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta, ndërsa rreth 24 mijë maturantë i janë nënshkruar dy javë më parë testit të vlefshëm për ta siguruar të drejtën që të aplikojnë për studime universitare.

Që të dyja këto procese janë përcjell me parregullsi të shumta pasi në rrjete sociale kanë qarkulluar edhe pyetjet e testeve.

E kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kështu si funksionon aktualisht, testi më shumë rivlerëson në mënyrë të rekapitulluar dijet e fituara përgjatë shkollimit formal se sa që mundëson dhe lehtëson orientimin e nxënësve në profesionet e tyre të ardhshme, “gjë që do të duhej të ishte qëllimi i tij primar”.

Lexo po ashtu Këshilli i Prindërve për testin e Arritshmërisë dhe Maturës: Më e pakta është që ato të pezullohen

“Por, edhe kështu si është, ka mjaft probleme. Dhe ritmi i përmirësimit të kësaj praktike të vlerësimit nuk është i mjaftueshëm për të arritur qëllimin, për të cilin është dizajnuar fillimisht”, ka deklaruar ai, duke shtuar se kostoja është shumë e madhe, sepse gjeneratat po kalojnë.

Gola tutje është shprehur se shpërndarja e testeve nëpër rrjete sociale është vepër penale dhe me të duhet të merren organet e drejtësisë në bashkëpunim me ministritë përkatëse.

Lexo po ashtu Testi i arritshmërisë, Nagavci: Pyetjet u shpërndanë si shkak i keqmenaxhimit të procesit

“Kjo është njëra prej dobësive kyçe qe është duke e dëmtuar rëndë kredibilitetin e testit. Dhe arsyet pse po ndodhë janë sa të natyrës personale, si pakujdesia dhe papërgjegjësia e deri te arsyet sistemike”.

Sipas tij, për menaxhimin e këtij procesi, ashtu sikurse edhe për shumë fusha të tjera, ndërgjegjja njerëzore është kyçe.

“Fatkeqësisht nuk ka instrument ligjor që kompenson deficitet e ndërgjegjes njerëzore. Gjithsesi, unë mendoj se një debat i hapur shoqëror lidhur me këtë praktikë të testimit është mirë të fillojë. Aty duhet të marrin pjesë përfaqësues politikë, njohës të arsimit parauniversitar, përfaqësues nga shoqëria civile, nga prindërit e po ashtu edhe nga fëmijët”, ka përfunduar ai.

E Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar që të dyja testet të pezullohen.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, nga Këshilli kanë thënë se Testi i Maturës dhe ai i Arritshmërisë vazhdojnë bindshëm të jenë aktet më të kota dhe më të pavlera. /Telegrafi/