Site icon Telegrafi

Testi i Maturës me 140 postime në rrjetet sociale dhe 77 për qind të rasteve të bashkëpunimit e kopjimit!

Derisa Ministria e Arsimit çdoherë thotë se testi ka përfunduar me sukses, Këshilli Rinor Kosovar, pas monitorimit të pjesës së dytë të Provimit Shtetëror të Maturës i cili është mbajtur sot, ka vlerësuar se nga 75 qendra të testimit të monitoruara është raportuar për 77 për qind raste të bashkëpunimit dhe kopjimit. Dukuria tjetër shqetësuese është publikimi i testit online në faqe të rrjetit social “Facebook” ku janë vërejtur mbi 140 postime të testeve dhe përgjigjeve.

KYC ka monitoruar 41 shkolla në 20 komuna të ndryshme të vendit, si: Prishtinë, Podujevë, Drenas, Obiliq, Fushë Kosovë, Prizren, Pejë, Klinë, Deçan, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, Gjilan, Istog, Kamenicë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Shtime, Rahovec.

“Nga 75 qendra të testimit që janë monitoruar, janë evidentuar mbi 30 për qind të rasteve ku administrimi nuk ka qenë në nivelin e pritur, në krahasim me testin e parë të 14 qershorit ku janë raportuar rreth 38 për qind të rasteve të keq administrimit. Nga 75 qendra të testimit të monitoruara është raportuar për 77 për qind të bashkëpunimit dhe kopjimit, në krahasim me testimin e parë ku janë raportuar 74 për qind të rasteve të tilla. Ndërkaq, për dallim nga pjesa e parë kur janë përjashtuar 23 nxënës nga testimi, në këtë pjesë janë përjashtuar vetëm katër nxënës”, thuhet në komunikatë.

KYC ka realizuar këtë monitorim me leje dhe me mbështetje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. /KP/

Exit mobile version