Ministria e arsimit e Kosovës këtë vit e bëri një zbulim të ri që i la pa fjalë të gjithë: “Nxënësit po kopjuakan”.
Me këtë zbulim e vendosën dukurinë e kopjimit në faqet e para të gazetave dhe portaleve në internet. Me këtë zbulim, më së shumti fituan portalet, të cilat lajmin e njëjtë e ripostonin në formate të ndryshme, në mënyrë që të marrin sa më shumë klikime.
Ministria e Arsimit, për të dëshmuar se me të vërtetë është arsimore, paralajmëroi masa të rrepta dënimi për ata që kanë kopjuar dhe masa të reja për parandalimin e kësaj dukurie të panjohur për shkollën në përgjithësi. Njëherë u përmend policia, e pastaj u vendos që mbi kokat e nxënësve të qëndrojnë kompanitë e sigurimit, të cilat me punëtorët e tyre të mëdhenj me trup dhe me kokat e rruara, t’i frikësojnë nxënësit e t’i bëjnë që të mos kopjojnë, dhe me këtë të ikin nga ky krim shumë i rëndë.
Reagimet e maturantëve ishin të ndryshme. Disa ironizonin me faktin që në Kosove nuk respektohet fare rendi dhe ligji, që në institucionet e Kosovës mbretëron korrupsioni me të madhe dhe askush nuk brengoset për këtë. Se në shumë shkolla të Kosovës, kuadrot e reja pranohen me të njohshëm dhe me direktiva politike, e kuadrot e vjetra lënë shumë për të dëshiruar. Madje, edhe tek bursat që jepen nga qeveritë e ndryshme për shtetasit e Kosovës, edhe aty kanë gisht zyrtarët e lartë. Jo gjithherë fitojnë bursa ata që e meritojnë dhe ndodhë ndonjëherë që përfitues i bursës të jetë ndonjë djalë i ndonjë ministri apo ish-ministri.
Ata thonë që nëse duhet ndërmarrë masa të rrepta, duhet filluar qysh prej zyrave të Ministrisë së Arsimit, e pastaj të vazhdojnë te poshtë. Forca nuk duhet treguar tek më i dobëti. Duhet të ekzistojë një hierarki reagimi, ose shtrirja e rendit dhe ligjit rrezikon të jetë hipokrite e me standarde të dyfishta.
A kopjojnë nxënësit ? Natyrisht që kopjojnë. Jo vetëm në Kosovë, por në tërë botën. Kopjohet në shkollë fillorë, të mesme e madje edhe në universitet. Sipas një mendimi, edhe të kopjuarit në një masë të caktuar paraqet shkathtësi dhe mund ta shpëtojë dikë nga një situatë. Të gjithë ne kemi kopjuar në ndonjë periudhë kohore.
A është më mirë të mësosh? Natyrisht që është më mirë. Por, Ministria e Arsimit as nuk po e inkurajon këtë, e as nuk po ndërmerr diçka konkrete për t’i motivuar nxënësit që të mësojnë më shumë.
Fajin kryesor për dështimin e testit të maturës, nuk e kanë nxënësit, por e ka vetë dështimi i sistemit arsimor në Kosovë.
Të gjithë ankohen se gjatë gjimnazit, në lëndën e gjuhës shqipe mësohet vetëm për letërsinë e huaj dhe atë kombëtare. Ndërsa, në test të maturës, gati se të gjitha pyetjet vijnë nga gramatika e gjuhës shqipe, e cila anashkalohet gjatë tre viteve të shkollës së mesme.
Qysh mundesh me prit që një nxënës i cili tre vite ka mësuar për biografinë e Dikensit, Hemingvejit, e shumë të tjerëve, të tregojë dituri të gramatikës në testin e maturës?!
Në shumë shkolla te Kosovës, ora mësimore nuk mbahet e plotë, kjo ndodhë për shkak të mbajtjes së dy apo tre ndërrimeve në një shkollë. Ky fakt bën që asnjë libër në asnjë lëndë të mos shpjegohet deri në fund. Ndodhë që disa prej pyetjeve në test të hyjnë aty kurrë pa u shpjeguar nga mësimdhënësit. Kjo nuk është për faj të mësimdhënësve, por për shkak të kohës së limituar në shkollë. Pa e përmend faktin që laboratorët nëpër shkolla janë të pakta dhe lëndët natyrore nuk mësohen njëjtë vetëm me teori. Me pak fjalë, sistemi i arsimit në Kosovë len shumë për të dëshiruar.
Por, e keqja e krejt kësaj është se më së shumti akuzohen nxënësit se po kopjojnë, se sa vetë sistemi arsimor i cili e inkurajon kopjimin si ndoshta mundësi te vetme për ta kaluar testin e maturës.
Krejt kjo lidhet edhe me faktin që në provimet pranuese në Universitetin publik, një numër i konsiderueshëm i studentëve, pranohet në baza të njohtësisë, e një numër tjetër pranohet duke dhënë para.
Pra, ata që nuk kanë para e as nuk kanë të njohshëm, tentojnë që me çdo kusht të arrijnë pikë më të mëdha, që të paktën të kenë një gjasë matematikore që të pranohen në atë drejtim që duan ta studiojnë.
Natyrisht që krejt këto janë dukuri të këqija, si kopjimi ashtu edhe këto tjerat të cekura më lartë.
Por, lufta e këtyre dukurive duhet nisur prej së larti. Së pari duhet bërë reforma të reja në sistemin arsimor, dhe të bëhen ndryshime në kurrikulum. Më pastaj të largohen prej punës e të gjykohen të gjithë ata që e kanë shpjer sistemin drejt dështimit, dhe krejt në fund të të “luftohen” nxënësit që sipas zbulimit më të ri të Ministrisë së arsimit, po kopjuakan.
Sigurimin dhe policinë, mos ia dërgoni maturantëve, por drejtoni tek zyrat e juaja. Aty duhet nisur kontrollimi, aty bëhen ndryshimet. Aty janë fajet!