Telegrafi

Testi i cili zbulon sëmundjen e Alzheimerit në fazën më të hershme

Universiteti në Nottingham tani punon në zhvillimin e testit të shpejtë dhe të lehtë për klinika. Kjo mund të nënkuptojë diagnostikim shumë më të hershëm dhe terapi më të mirë, kanë deklaruar hulumtuesit.

Testi përdor proteinat e njëjta të cilat janë të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit. Me analizë të kujdesshme të gjakut të të sëmurëve, si edhe të atyre me probleme me kujtesën në fazën e hershme, hulumtuesit kanë gjetur markerët që janë shumë karakteristikë për këtë sëmundje. Kur përdoret me teknika tjera të diagnostikimit, ky test i gjakut mund të jetë shumë i dobishëm.

Profesor Kevin Morgan nga universiteti në Nottingham thotë që ende duhet të dëshmojnë që testi është valid dhe që ndoshta mund të kalojë një dekadë deri te aplikimi i tij në pacientë. Megjithatë, kombinimi i markerëve që kanë gjetur duket premtues.

"Gjetja jonë është ngazëlluese, sepse tregon që teknikisht është e mundshme të dallohen njerëzit e shëndetshëm nga ata me Alzheimer vetëm me ndihmën e testit të gjakut:
Testet e gjakut janë mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të ndihmuar caktimin e diagnozës. Ne jemi shumë të inkurajuar me këtë gjetje dhe përdorimin potencial në të ardhmen", ka deklaruar Morgan.

Ai ka shtuar se si ekzistojnë disa mënyra me të cilat ky test mund t’i ndihmojë pacientët, duke përfshirë edhe diagnozën definitive, e cila momentalisht nuk është gjithmonë e mundshme. Po ashtu, mund të ndihmojë ashtu që pacientëve t’u sigurohet terapia më adekuate. /Telegrafi/