Testet e antitrupave për coronavirusin po bëhen gjithnjë e më të përhapura dhe pyetja kryesore është: A nënkupton një test pozitiv për antitrupat që një person ka zhvilluar imunitet ndaj virusit?
Ndonëse një javë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë u shpreh se vetëm një pjesë e vogël e popullsisë botërore ka zhvilluar antitrupa dhe mund të duhen muaj që të ketë një përgjigje të saktë, kjo nuk do të thotë që testet nuk japin informacion të vlefshëm.
Testet e antitrupave japin informacion nëse sistemi imunitar i një personi ka zhvilluar antitrupa të nevojshëm për të luftuar një infeksion të caktuar. Nëse testi del pozitiv, do të thotë që personi ka antitrupa, nëse del negativ do të thotë se nuk ka antitrupa ose nuk është infektuar me virus, shkruan NBC News.
Këto testime kanë për qëllim të krijojnë një pamje më të qartë se si është përhapur virusi në popullatë, pra zbulojnë përgjigjen e organizmit ndaj virusit, jo vetë virusin. Megjithatë nuk ka ende prova që testi i antitrupave mund të tregojnë nëse një person ka imunitet të fortë ose nuk ka më rrezik të infektohet.
Sistemi imunitar i prodhon antitrupat për të luftuar viruset, bakteret ose substancat e tjera të huaja për organizmin. Antitrupat janë specifikë për secilin “pushtues”. Trupi ynë kërkon pak kohë për prodhimin e tyre. Nëse i njëjti virus/bakter përpiqet të hyjë sërish në organizëm, prodhimi i antitrupave është më i shpejtë.
Duke treguar se sa njerëz nuk janë infektuar, testet japin një pamje më të plotë të numrit të të prekurve me coronavirus. Sidoqoftë, mbetet e paqartë nëse antitrupat funksionojnë siç duhet, pra arrijnë të mbrojnë personin gjatë një infektimi të dytë.
“Mund të jetë një person që është sëmurur muajin e kaluar, pra në mars, dhe tani ka antitrupa,” tha Dr. Daniel Kuritzkes, drejtor i sëmundjeve infektive në Brigham and Women’s Hospital në Boston. “Deri në tetor, ka mundësi që antitrupat të jenë më pak mbrojtës.”
Nga ana tjetër, testet negative të antitrupave të COVID-19 mund t’u japin zyrtarëve të shëndetit publik një pamje më të qartë se cila popullsi është e rrezikuar për t’u prekur nga coronavirusi, pasi nuk kanë antitrupa, pra sistemi imunitar është jo i fortë, ose nuk janë infektuar më parë.