Aksionet e Tesla u mbyllën me afro 22% – fitimi i tyre më i madh njëditor në më shumë se një dekadë – pasi parashikimi i guximshëm i Elon Musk për rritjen e shitjeve siguroi investitorët se ai ishte ende në kërkim të rritjes së biznesit të tij kryesor të shitjes së veturave elektrike.
Bëhet e ditur se në afërsi, rreth 150 miliardë dollarë iu shtuan vlerës së tregut të kompanisë.
Musk parashikoi 20-30% rritje të shitjeve për vitin e ardhshëm, duke premtuar se do të nisë prodhimin e një automjeti të përballueshëm në gjysmën e parë të vitit 2025, the Guardian, përcjell Telegrafi.
Siç theksojnë mediat, ky lajm “largon” shqetësimet se Musk ishte fokusuar vetëm në projekte të reja si robotaksi.
Ndër tjera, Musk e ka kthyer Teslan në një kompani të Inteligjencës Artificiale dhe robotikës nga një lider i tregut të automjeteve elektrike, por ende nuk ka parashtruar një plan të detajuar biznesi për fokusin e tij të ri.
Tremujorin e kaluar, Musk bëri njoftime për zhvillimet e reja të kompanisë, nga taksitë pa shofer deri te robotët humanoidë.
Ndryshe, Tesla regjistroi 326 milionë dollarë të ardhura edhe nga softueri autopilot Full Self Driving (FSD) i përdorur në Cybertruck dhe veçori të tjera autonome. /Telegrafi/