Tesla po “tërheq” më shumë se 1,6 milion vetura elektrike të modeleve S, X, 3, dhe Y, të eksportuara në Kinë, për shkak të problemeve me timonin, sistemin autopilot, por edhe mbylljen e dyerve.
Bëhet e ditur se, në Pekin dhe Shangai modelet e Tesla-s do të përmirësohen nga distanca, kështu që shumica e pronarëve të tyre nuk kanë nevojë të vizitojnë qendrat e shërbimit.
Ky veprim vjen pas “tërheqjes” së 2 milionë veturave elektrike në SHBA, për po të njëjtin shqetësim.
Për shkak të këtij defekti, në SHBA kanë pasuar një seri aksidentesh, shumë prej tyre vdekjeprurëse, të cilat kanë ndodhur kryesisht gjatë kohës që sistemi autopilot ishte në përdorim.
Në lidhje me këtë shqetësim, është realizuar një hetim dy vjeçar nga i cili u kuptua se sistemi autopilot ishte i dëmtuar.
Masat e fundit nga Tesla synojnë që t’i bëjnë përdoruesit e sistemit autopilot më të vëmendshëm në rrugë.
Ndryshe, Tesla është shitësi numër 2 në tregun kinez të veturave elektrike, dhe qëndron pas kompanisë kineze BYD. /Telegrafi/