Site icon Telegrafi

Tesla mund të njoftojë ditët në vijim planin për ndërtimin e fabrikës në Meksikë, me një investim fillestar prej 800 milionë dollarë deri në 1 miliard dollarë

Prodhuesi i makinave elektrike, Tesla, mund të njoftojë të premten ndërtimin e një “Gigafactory” në shtetin verior të Meksikës të Nuevo Leon, me një investim fillestar prej 800 milionë dollarë deri në 1 miliard dollarë, njoftoi të hënën gazeta lokale Reforma.

Investimi totial, duke marrë parasysh zgjerimet e ardhshme, mund të arrijë 10 miliardë dollarë, thanë burimet për gazetën, transmeton Telegrafi.

Njoftimi do të pasonte vizitën e shefit ekzekutiv Elon Musk gjatë muajit tetor në shtetin i cili kufizohet me Teksasin.  Një burim i tha Reuters atëherë se Musk ishte takuar me guvernatorin e Nuevo Leon, Samuel Garcia dhe ambasadorin e SHBA-së në Meksikë, Ken Salazar.

Fabrika ‘Gigafactory’ në Meksikë e planifikuar në periferi të qytetit Monterrey, do të fillonte me ndërtimin e komponentëve për modelet aktuale të Tesla-s, tha një burim për Reforma-n, duke ndërtuar më vonë një model të ri me një kosto më të ulët se fabrikat e tjera.

Një zyrtar federal i tha Reuters se Tesla do të njoftonte lajmet për investimin e saj të planifikuar kur të ishte gati ta bënte këtë, por që nuk do të ishte domosdoshmërisht para Krishtlindjeve.

Nëse njoftimi nuk bëhet të premten, do të bëhet në muajin janar, sipas Reforma-s. /Telegrafi/

Exit mobile version