Site icon Telegrafi

Tesla mund të fillojë vitin e ardhshëm prodhimin e makinave elektrike në Meksikë

Tesla mund të fillojë prodhimin e makinave të saj të para në Meksikë vitin e ardhshëm, derisa prodhuesi i automjeteve elektrike është afër marrjes së lejeve përfundimtare duke lejuar fillimin e ndërtimit të fabrikës në Nuevo Leon pranë kufirit SHBA-Meksikës, tha të hënën guvernatori i shtetit.

“Ata janë duke pritur për lejet përfundimtare… pasi kjo të jetë bërë, ata mund të fillojnë, me shpresë këtë muaj, në mars”, tha në një intervistë guvernatori i Nuevo Leon, Samuel Garcia, transmeton Telegrafi.

“Unë mendoj se deri në vitin e ardhshëm, në vitin 2024, do të prodhohen makinat e para”.

Kompania nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Shefi Ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk njoftoi investimin javën e kaluar, duke thënë se kompania me bazë në Austin, Teksas kishte zgjedhur Meksikën për “gigafabrikën” e saj të ardhshme me plane për të prodhuar një “automjet të gjeneratës së ardhshme”.

Zyrtarët meksikanë kanë thënë se fabrika do të jetë më e madhja në botë për prodhimin e automjeteve elektrike, me një investim prej 5 miliardë dollarësh. /Telegrafi/

Exit mobile version