Tesla po hap rrjetet e saj të mbushësve për makina të tjera elektrike për herë të parë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kompania ka më shumë se 25,000 lokacione “super-mbushës”, duke e bërë atë rrjetin më të madh të mbushësve në botë.
Skema e saj pilot do të fillojë me 10 lokacione në Holandë ndërkohë që prodhuesi i makinave, në pronësi të Elon Musk, shpreson që përfundimisht të zgjerojë skemën “në mbarë botën”.
“Ka qenë gjithmonë ambicia jonë që të hapim rrjetin e super-mbushësve për automjetet elektrike jo-Tesla (automjetet elektrike) dhe duke e bërë këtë, të inkurajojmë më shumë shoferë të lëvizin me makina me energji elektrike”, tha një zëdhënës i Tesla.
“Kjo lëvizje mbështet drejtpërdrejt misionin tonë për të përshpejtuar tranzicionin e botës drejt energjisë së qëndrueshme”.
Siç bëhet e ditur, mbushësit do të funksionojnë me çdo makinë elektrike që ka një port të sistemit të mbushjes, të kombinuar (CCS).
Drejtuesit jo-Tesla të cilët dëshirojnë të përdorin një nga stacionet e super-mbushjes të kompanisë do të duhet të shkarkojnë një aplikacion dhe të krijojnë një llogari. /Telegrafi/