Site icon Telegrafi

Tesla gjobitet për aksidentin fatal në SHBA, edhe pse shoferi ishte 90 për qind fajtor

Prodhuesit e veturave elektrike Tesla, janë urdhëruar që të paguajnë një shumë prej rreth 103,000 eurove tek familja e një shoferi 18 vjeçar i cili vdiq pasi aksidentoi veturën e tij Tesla Model S para katër viteve.

Drive.com.au shkruan se sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg, burri nga Florida, Barrett Riley, e përplasi veturën e tij në një mur me shpejtësi prej 187 km/h në Fort Lauderdale në maj të 2018, duke shkaktuar që vetura të kaplohet nga zjarri, përcjell Telegrafi.

Shoferi Barrett Riley, dhe një 18 vjeçar tjetër, Edgar Monserratt, i cili ishte i ulur në ulësen e përparme, mbetën të vdekur në aksident.

Tesla më parë ka aktivizuar një kufizim të shpejtësisë deri në 135 km/h në Model S, kjo pas kërkesës që e kishte bërë e ëma e Riley, i cili ishte gjobitur pasi kishte vozitur veturën me shpejtësi prej 180 km/h në një zonë ku limiti ishte deri në 80 km/h.

Megjithatë, kufizuesi i shpejtësisë ishte hequr më vonë pasi që ishte raportuar se Barrett Riley e kishte “mashtruar” një teknik të Tesla i cili e kishte çaktivizuar atë.

Avokatët e familjes Riley argumentuan duke thënë se Tesla do të duhej që të kërkonte autorizimin nga babai i Riley, pasi që vetura ishte në emrin e tij.

Familja Riley gjithashtu kishin pretenduar se një defekt në baterinë e Tesla Model S kishte shkaktuar që vetura të përfshihet nga zjarri. Megjithatë kjo akuzë u hodh poshtë para fillimit të gjykimit.

Gjykata e shtetit të Florida konstatoi se prindërit e Barrett Riley, James dhe Jenny kanë përjetuar dhimbje dhe dëmtime në vlerë prej 10.2 milionë eurove si pasojë e aksidentit në të cilin vdiq djali i tyre dhe pasagjeri në ulësen e përparme.

Barrett Riley u konsiderua 90 për qind fajtor për aksidentin fatal, ndërsa James Riley pasagjeri në veturë nga gjykata u konsiderua se ishte 9 për qind fajtor. /Telegrafi/

Exit mobile version