Telegrafi

Terziq tërhoqi kandidaturën për Ministrinë e Brendshme, hapet rruga për Dritan Abazoviqin

Nikola Terziq falënderoi Zdravko Krivokapiqin për besimin, duke theksuar se ai është një “njeri i drejt dhe i ndershëm që i duhet Malit të Zi”.

“Sapo e kam njoftuar të mandatuarin për kryeministër se kam vendosur të tërheq kandidaturën time për pozicionin e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Malit të Zi”, tha avokati Terziq, raporton vijesti.me.

Ai u propozua nga Zdravko Krivokapiq si Ministër i Brendshëm, por që kjo ishte kundërshtuar ashpër nga politikani shqiptar i kolaicionit URA, Dritan Abazoviq, transmeton Telegrafi.

“Profesor Kirvokapiq ka të drejtë. Unë isha një kandidat jo-partiak, si i tillë, unë e pranova këtë përgjegjësi më të vështirë, duke besuar se të gjithë fituesit e zgjedhjeve do të kuptonin se çfarë barrë po pranoja në shpinë. Unë mund ta mbaj këtë barrë vetëm, vetëm nëse kam mirëkuptimin e të gjithë atyre që janë në të njëjtën krah me mua”, tha ai.

Ndërkohë, Abazoviq disa herë kishte theksuar se koalicioni që udhëheq duhet ta ketë Ministrinë e Brendshme, në të kundërtën, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Lexo po ashtu Abazoviq i drejtohet Krivokapiqit: Nuk ka kompromis me Ministrinë e Brendshme, ose gjeji deputetët për ta krijuar qeverinë e Malit të Zi

Duke folur nëse e shihte veten si Ministër i Brendshëm, Abazoviq thotë se mund ta shihte veten në atë pozitë, por që nuk ka asnjë problem për vendin e tij, për sa i përket kësaj shumice të re, të jetë në parlament.

“Unë e shoh veten atje. Nëse dikush mendon se mund të ndihmojë diku tjetër, unë do të jem, por ta shkel veten …, kjo më irritoi shumë në lidhje me udhëheqësit e tjerë të opozitës. Dritan Abazovic nuk do të jetë problem”, pohoi ai.

Ndryshe, Krivokapiq i kishte ofruar politikanit shqiptar pozitën e zëvendëskryeministrit për siguri si dhe tre ministri të tjera, të cilat i kishte refuzuar me kombëngulje. /Telegrafi/