Telegrafi

Terzic krenar me paraqitjen e futbollistëve të tij: Tani e di pse Reali ka fituar 15 Liga të Kampionëve

Borussia Dortmund zhvilloi një ndeshje fantastike në finalen e Ligës së Kampionëve, duke dominuar Real Madridin në pjesën më të madhe të ndeshjes.

Por vetëm kaq, pasi në fundin e duelit Los Blancos treguan forcën duke shënuar dy gola me Dani Carvajal dhe Vini Jr dhe duke fituar finalen me rezultat të pastër 2-0.

Trajneri i Dortmundit, Edin Terzic ka thënë se është krenar me paraqitjen e skuadrës së tij në finale, por në të njëjtën kohë edhe bosh që nuk arritën ta fitojnë trofeun.

Lexo po ashtu Real Madridi, mbret i Evropës për herë të 15-të në histori

“Pas një finaleje të Ligës së Kampionëve që kemi humbur, jam krenar, por edhe bosh”, tha fillimisht Terzic.

“Është e vështirë të mendosh për 12 muajt e fundit dhe ta analizosh atë periudhë, por mendoj se kemi pasur një sezon me shumë ulje-ngritje”.

“Ishte një shembull i përsosur se çfarë është e mundur me këtë ekip, çfarë mund të arrijmë dhe kjo është ajo që është e rëndësishme nga nesër e tutje. Ne duhet të përpiqemi të jemi më konsekuent”, tha Terzic.

Tutje trajneri i Dortmundit tha se zbuluan se pse Reali fitoi për herë të 15-të këtë trofe dhe kjo ka të bëjë me efikasitetin e kampionëve të Spanjës në finale.

Lexo po ashtu “Nata më e mirë e jetës sime”, Bellingham me një intervistë tepër emocionuese pasi fitoi Ligën e Kampionëve

“Është e vështirë të gjesh fjalët. Përsa i përket paraqitjes, ne luajtëm një lojë të shkëlqyer, por zbuluam pse ata u bënë kampionë për herë të 15-të. Ata ishin kaq efektivë dhe kjo ishte diçka që na mungonte”.

“Ne treguam se ishim këtu për të fituar, jo vetëm për të luajtur një lojë. Ishim afër dhe mungonin gjëra të vogla. Por urime për Realin që e mbajtën këtë lloj urie. E shihni pse janë kampionë”, tha Terzic. /Telegrafi/