Materiali i ri i punës, që u soll në Kadastër, në një kohë kur era e barotit gati kishte arritur edhe në selinë e vilajetit, nuk ngjalli ndonjë dyshim as tek drejtuesit e admistratës, as tek punëtorët e arkivit. Për shumë muaj urdhrat kishin ardhur me tertip, por askush nuk kishte shfaqur ndonjë mëdyshje.
– Dëgjo mirë o Grremç!
Pasi të flenë në shpirt konspiracionet, a mund të kuptosh pse pushteti perandorak tërhoqi në mënyrë sekrete (natën) gjithë dokumentacionin e kadastrit të Vilajetit? Krejt ky rrëfim mund të duket si një përrallë të zakonshme, por çdo lajm dhe mall që arrinte në krye- shehrin e Vilajetit, behej me tertip.
– O Grremço! Nuk ta kap rradakja rëndësinë e librave të kadastrit?
– Ma lere ti arkivin italian!- kishte folur përçartë Grremçi, duke ngatërruar arkivin e vilajetit me atë italian.
– Shihe, shihe! Ku dëgjove ti për arkivin italian, kur po të flas për zbrazjen sekrete të arkivit të kadastrit kryesor të vilajetit!
– Administrata osmane, shumë kohë para tërheqjes nga vilajeti i kishte transferuar të gjitha librat e kadastrit në vend të sigurt. Bile llaf kush nuk e kishte bërë këtë punë. As më vonë, nuk i kishte rënë ndërmend dikujt se pse qe zbrazur arkivi i librave të kadastrit në pik të natës?
– Ke dëgjuar ti, o Grremç, se edhe pushtuesi serb, derisa po vriste e digjte Kosovën, ditë me radhë ngarkoi, mori e dërgoi në Serbi gjithë librat e kadastrit.
Një mbrëmje vonë, krejt afër ndërtesës se kadastrit, ishte gjetur i vdekur myftibashi i shehrit. Askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se çka ka ndodhur brenda ndërtesës. As që kishte imagjinuar dikush se çfarë lidhjeje mund të kishte transferimi sekret i librave të kadastrit me vrasjen e myftibashit.
– Aq shumë qerre me kuaj nuk ishin parë në shehër, një zot e di se kur!
– Kujt i duhen tash ato qerre që ishin rreshtuar afër ndërtesës së arkivit të kadastrit?- mund të ketë menduar seriozisht vetë myftiu i qytetit, por sa duket ai edhe ishte i vetmi që duhej të dinte për zbrazjen sekret të arkivit të kadastrit.
Gjithçka ishte përgatitur në heshtje të plotë!
Urdhri ishte i prerë:- Të largohen nga qyteti gjithë librat e kadastrit! Myftiu nuk e kontrollonte dot vetën. Këso gjendje nuk kishte parë asnjëherë në jetën e tij. Në heshtje pyeste veten?- Pse i largojnë librat e kadastrit?
Ordhia kishte zbarkuar bashkë me terrin për të siguruar ngarkesën. Drejtori i kadastrit, përpiqej të konstruktonte çdo fjalë që kishte dëgjuar, sidomos ato me tertip, për të kuptuar qëllimin e largimit të librave të kadastrit. Kishte parë kur në ndërtesën e kadastrit, hyqymeti kishte sjellë me mijëra pako formularë e letra të reja për punë. Bile punonjësve ju kishin premtuar rritjen e rrogave(ilefe). Ishte krijuar atmosferë pune me gjallëri më të madhe se zakonisht. Ishte bërë sistemimi i ri i arkivit në tërësi. Një dhomë ishte liruar plotësisht për vendosjen e materialit të ri që kishte sjellë hyqymeti. Në tri dhoma të mëdha, të gjitha dosjet me dokumente të shifruara me kujdes, ishin sistemuar, palosur e mbushur top deri në tavan. Askush nuk kishte treguar apo parë ndonjë asharet lidhur me largimin sekret të dokumenteve që ishte përgatitur për shumë kohë.
Gjithçka ishte përgatitur pa bujë.
– Nuk me duket asharet i mirë? – kishte thënë vetmeveti myftibashi. Ai çdo ditë kalonte pranë ndërtesës së kadastrit dhe kishte nuhatur mirë erën e mykut, në një kohë kur ishin palosur rishtas aq shumë dokumente kadastrale shekullore.
Isharetet ishin parë moti, ama nuk kishte kush i lexonte ato.
– Mos do të ngarkojnë ari?- kishte shfaqur dyshim të fortë Myftiu. Ditën kritike, ai ishte ngri si statujë, si një hu gardhi, duke shikuar kolonën e qerreve me kuaj, që po prisnin të ngarkoheshin.
– Pa de, pa de!- kishte folur si jermi!
Ordhia e caktuar për ngarkimin e shpejt të regjistrave kishte mbërri bashkë me terrin. Qerret e kuajve, një nga një, kishin filluar ti afrohen portës kryesore të ndërtesës.
– O zot!- kishte thirr myftiu! Ndoshta arin e kanë fshehur pikërisht në ndërtesën e kadastrit?
Pasi kishte ra terri në tokë, më nuk po mund të shihte asgjë se çka po ndodhte brenda ndërtesës. Ai kishte vazhduar të shikonte vetëm ndonjë hije njeriu duke lëvizur, derisa ordhia kishte ngarkuar edhe librat fundit.
Krejt këto tertipe për ngjarjen janë thurë shumë më vonë se ngjarja.
Të vërteten e madhe të asaj nate, njerëzit e zakonshëm nuk arrinin ta kapnin dot as me imagjinatë.
Fjalinë e fundit që dëgjoi myftiu ishte; – Nuk ka më vend në qerre!
– Po është edhe një dhomë plot libra regjistri?! – kishte thënë dikush më zë të lartë, kërcënues!
– S’ka vend më!- ishte përgjigjur dikush tjetër.
– Për dhomën e katërt as që kishte menduar dikush. Ajo dhomë nuk ishte prekur. As vetë punëtorëve të kadastrit, që kishin ardhur të nesërmen në punë nuk ju kishte shkuar mendja për materialin e ri, që ditë me parë, e kishin sjell me tertip, dhe e kishin mbushur dhomën e katërt të arkivit. Tri dhoma ishin me dokumente të moçme qindvjeçare. Materialin e ri për kadastër, hyqymeti e kishte sjellë me tertip.
– Mendoni ju, se regjistrat e kadastrit janë të vogla e të lehta!
– Jo more kardash! Ka libër të rëndë më shumë se dhjetë okë! Janë aty librat e dyqind vjetëve!
– E halli! – kishte pyetur dikush të cilin nuk e dallonte myftiu nëpër terr.
– Duhet të niseni sa më parë! – ishte dëgjuar urdhri.
Kolona me kuaj kishte lëvizur nga vendi sikur një ushtri me komandë. Sapo kolona e qerreve ishte larguar nga qyteti, kishte lakuar rrugën drejt luginës. Qerres së parë, në kthesën e parë, krejt afër lumit, iu kishte thye boshti kryesor që lidhte dy rrotat e para.
Shumë më vonë, për atë karrocë janë thurë me qindra konspiracione se ku përfundoi ajo, por as pas një shekulli nuk u gjet ndonjë gjurmë e besueshme për fatkeqësinë që pësoi, apo për fatin e saj.
Hija që komandonte kishte urdhëruar qerrtarin e dytë të vazhdonte rrugën në krye të kolonës. Pak pa u zdritur, ordhia ishte zhdukur në drejtim të panjohur. Kolonën me qerret plot me libra të kadastarit (tapi në letra) po e përcillnin vetëm katër roje pa armë të dukshme. Askush nuk guxonte as mund të përgjigjej se çka kanë ngarkuar, edhe po ti pyeste dikush.
Myftiu që kishte shikuar krejt skenën e ngarkimit të librave të kadastrit, në mëngjes ishte gjetur i vdekur, aty në atë pikë, prej ku kishte qëndruar pa zë derisa ishte larguar qerrja e fundit me libra.
Qytetarët nuk kishin kuptuar se çka kishte ndodhur natën. Çka kishin ngarkuar dymbëdhjetë qerre kuajsh? Lajmi për gjetjen e myftiut të vdekur jo larg ndërtesës së Kadastarit ishte kuptuar të nesërmen vonë në mbrëmje.
Mëngjesi tjetër!
Ishte koha e fillimit të punës në kadastër. Punëtorët po arrinin njeri pas tjetrit. Në fillim askujt nuk i kishte shkuar mendja për derën e ndërtesës të cilën e kishin gjetur hapur.
Punëtorët e tjerë nëpër zyre, zakonisht mbanin mbi tavolinë një a dy defterë nga ata më të fundit, dhe rrallë herë shkonin në depo të arkivit ku ishin vendosur librat e kadastrit.
Kishte ardhur edhe arkivisti i fundit. Vetëm pak para përfundimit të orarit të punës, një palë kishte kërkuar diçka nga arkivi. Kur kishte hy arkivisti në sallën e parë ku ruheshin librat e kadastrit, kishte fërkuar sytë disa herë duke mos iu besuar as syve të vetë, kur kishte parë krejt depon e zbrazët!
– O zot?!- A është e mundur? Po kujt i duhen ato libra pos neve që punojmë përditë me to për nevojat e qytetarëve të mjerë?- kishte fol ai. Përgjegjësia mund ti binte e gjitha atij. Nuk mendoi më gjatë dhe njoftoi drejtorin e arkivit.
As qerpiku i syrit nuk i kishte luajtur drejtorit!
– E kanë vjedhë, e kanë vjedhë,!- punë e madhe- kishte folur ai.
– Shohim e bëjmë nesër. Po kush mund të dinte diçka? Edhe po të dinte dikush diçka, nuk guxonte të fliste.
– Mund të vidhet gjithçka, por librat e kadastrit, kujt i duhen, mendonte një nga punëtorët më të moçëm të arkivit. Kishte gati moshën e pensionimit dhe nuk kishte pasur edhe një rast kur është vjedhur krejt arkivi i kadastrit
– E di se ka ndodhur të vidhet ndonjë dokument, por të vidhet gjithë arkivi, nuk më ka shkuar ndërmend asnjëherë, kishte pëshpëritur në heshtje ai.
– Ja, tash e kanë vjedhë krejt arkivin?! Kësaj si i thonë? Mund të jetë ky urdhër nga lart dhe nga larg?! Ka diçka më të madhe këtu. Diçka e madhe po përzihet. Diçka e madhe po ndodhë!
Në kryeqytet, karvani me qerre të kuajve, ngarkuar plot me libra, kishte arritur pas një jave udhëtimi. Edhe atje i kishin shkarkuar librat në fshehtësi të plotë. Bile shumë nga punëtorët as që kishin kuptuar çka po shkarkonin.
Sekretin e dinte vetëm ordhia që kishte siguruar ngarkesën deri në dalje nga shehrit.
Nga frontet e largëta të luftës, lajmet vinin rrallë. Qyteti jetonte në do farë ethesh, të cilat nuk i shpjegonte dot askush. Secili thoshte, se diçka nuk është në rregull. As largimi i librave të kadastrit natën, akoma nuk ishte bërë lajm me rëndësi.
Pas shkarkimit të librave në arkivin e kryeqytetit, pashai që kishte shoqëruar karvanin, kishte hequr maskën dhe ishte çliruar nga rrobat e rrugës. Kishte hyrë në korridorin e gjatë të arkivit të kryeqytetit dhe kishte qeshur me zë të lartë.
– Haha! Haha! Haha! Ja dola, ja dola!
Kishte menduar i shkreti, se tash e pret ndonjë shpërblim!. Vetëm pas një ore pushim, duhej të lajmëronte eprorin për punën e kryer. Pashai po mendonte për dekoratën, ndërsa eprori i tij për zhdukjen e gjurmëve të ngarkesës. Nuk mund të qetësohej duke menduar se ajo punë nuk është aq me rendësi.
Pasi e priti në zyre vet Veziri, pashai nuk u durua pa e pyetur:
– Po çka na duhen ato libra, madhëri?!
Nga kjo pyetje, Vezirit i kishte pëlcitur një damar në lule të ballit. Vetë me veti kishte thënë ; si është e mundur që një pasha nuk kupton rëndësinë e këtyre librave, por kishte heshtur.
– E po, keni mbaruar shkollën kot, o pasha i djallit. Këto janë krejt tapi toke, o i mjerë?!- kishte folur veziri duke murmuritur disa fjalë që me siguri nuk i kuptonte as vetë.
– Po, prandaj qesha pse i sollëm, zotëri! Po, pse ashtu sekret? Eprori i tij kishte qeshur ithët edhe një herë, duke murmuritur vetmeveti fjalët; hajt budalla, hajt!
– Se çka kemi sjellë, ti more pasha, nuk do të kuptosh sa të jesh gjallë, por pas pak kohe, keni për të dëgjuar shumë krisma e shumë më tepër vëllavrasje të kaurëve. Ata sapo ta kuptojnë se kurrë në jetën e tyre nuk kanë pasur tapi toke, do të vriten mes veti. Nuk do ketë nevojë të shkojë askush atje të merret me ta e të humbë kohë kot, kishte thënë shkurt veziri.
Në zonën Krra- Krra, pas shumë kohësh…
Në shehër, sapo ishte kuptuar se çka ka ndodhur natën në arkivin e shehrit, ishin mbledhur krejt qytetarët dhe e kishin rrethuar ndërtesën e zbrazët. Dikush kishte thënë – ta djegim! Dikush kishte thënë; pse ta djegim, kur aty nuk ka mbetur asgjë me vlerë. Peshën e librave të kadastrit do ta kuptojnë tepër vonë.
Pas disa javësh ata filluan të kuptojnë të vërteten e madhe. Shumica e oxhaqeve të shtëpive të bejlerëve e agallarëve nuk po tymonin, Filluan të kuptojnë se edhe shumica e tregtarëve të pasur kishin ikur natën.
– Obobo! Diçka e madhe po ndodhë kishin menduar në heshtje njëzëri. Ata që ishin tubuar tek ndërtesa e kadastrit, përfundimisht kishin hequr dorë nga djegia e ndërtesës.
Në mëngjes ishin dukur disa kalorës të huaj krejt afër shehrit.
Pa kaluar shumë orë, aty në shehër kishte futur kokën ordhia serbe. Po fillonte krejt diçka tjetër, edhe më e zezë. Thuaja të gjithë njerëzit përnjëherë harruan librat e kadastrit. Në shehër, po vendosej ushtri e huaj e cila filloi të pastronte krejt çka kishte mbetur nga ndërtesën e kadastrit. Dukej sikur askujt nuk i shkonte mendja se edhe kjo ushtria e re pushtuese që po vendosej, do të fillonte të vizatonte e të shkruante dokumente te tjera të kadastrit. Dhoma e katërt me plot dokumente të reja që kishte sjell hyqymeti i mëparshëm, nuk do ti shërbente fare pushtuesit të ri, sepse çdo letër akoma kishte firmën e padishahut.
Për ironi të fatit, ndodhi që pas 110 vjetësh, kur ishin formuar shtete të reja nga perandoria, dovleti po vizitonte njërin vilajet të dikurshëm.
Ishte bërë manifestim i madh për nder të dovletit. Shumë kamera gjironin çdo fjalë të zyrtarëve më të lartë, të kinse dy vendeve sovrane. Vërehej çartë dallimi mes dovletit dhe të parit të vilajetit.
Se ç’ju mor goja mikpritësit të dovletit dhe para shumë gazetarëve përmendi tapitë e tokave, që kinse paskësh ai?!
Dovleti ktheu kokën nga ai dhe foli qetësisht. Për çfarë tapish flet ti or dallkauk, kur ato tapi kanë firmën time, 560 vjet para teje.