Site icon Telegrafi

Tersi olimpik i Shqipërisë, Rio 2016 dështimi i radhës

Shqipëria lë prapa krahëve një tjetër olimpiadë të dështuar jo vetëm në garën për medalje, duke mos dalë jashtë traditës edhe në Rio.

Eliminimi i Luiza Gegës thyen parakohe shpresat e shqiptarëve të cilët pas Evropianit të futbollit ëndërronin të shikonin për herë të parë një përfaqësues kuqezi në podin olimpik. Por duke hedhur sytë nga e kaluara, duket se olimpiadat janë një ters për Shqipërinë, raporton TopChannel.

Atletja 27-vjeçare, 1 muaj para Rios ishte kurorëzuar me titullin nënkampione e Europës, por në Brazil, ndoshta edhe nga dëmtimi i mbartur, numri 2 i kontinentit të vjetër shpërfytyrohet dhe del e 48-a mes 52 atletëve.

Në një mënyrë tjetër, por tersi përcaktoi edhe fatin e kampiones aktuale olimpike Majlinda Kelmendi. Kur garoi në Londër për flamurin shqiptar 4 vjet më parë, pejania pretendonte zonën e medaljeve.

Por ajo u rendit vetëm e 9-a duke u eliminuar me ngjyrat e Shqipërisë që në turin e dytë. Vetëm një vit më pas, kur Kosova u pranua, Majlinda nën flamurin e ri u shpall kampione bote. Titull që e fitoi edhe një herë tjetër.

57 është numri i sportistëve që kanë përfaqësuar Shqipërinë në 8 olimpiada, nga Mynih 1972 e deri në Rio 2016.

Rezultati më i mirë është ai i peshëngritësit Ymer Pampuri në ’72, i cili do të mbahet mend si kampioni i fundit olimpik në stilin e forcës, si dhe mbajtësi i fundit i rekordit botëror në këtë disiplinë të peshëngritjes që më pas u hoq.

Pikërisht sporti i peshëngritjes është më i suksesshmi i yni nëpër olimpiada. Rezultati më i mirë mbetet ai i Ilir Sulit në Sidnej në vitin 2000, i pesti në peshën 77 kilogramë.

Edhe në Rio e vetmja dritë pozitive ishte ajo e Briken Caljes, i cili në peshën 69 kilogramë humbi vetëm për 10 gramë të peshës personale vendin e pestë, që ishte edhe përgjigja më e mirë ndaj polemikës që ai pati me krerët e Komitetit Olimpik Shqiptar.

Exit mobile version