Site icon Telegrafi

Terry zbulon çmendurinë që kishte bërë Mourinho para një ndeshje në Ligën e Kampionëve

Jose Mourinho është unik! Trajneri portugez, i vetëquajtur “Special One”, ka shumë histori qesharake, motivuese, të veçanta dhe epike, sidomos kur drejtonte londinezët e Chelsea.

Tekniku kishte një raport mjaft të mirë me kapitenin John Terry, i cili në llogarinë e tij në “Instagram” e tij zyrtar ka zbuluar një histori interesante të strategut aktual të Romës.

“Mbaj mend shumë mirë një histori të Jose. Kam qeshur pafund. Po luanim kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve dhe ai ishte i dënuar. Çfarë bëri? U fut në koshin e rrobave dhe qëndroi aty për një kohë shumë të gjatë”, ka thënë legjenda angleze.

“Kur personi që kishte për detyrë të sillte uniformat u fut në dhomat e zhveshjes, Mourinho doli nga koshi, duke na befasuar të gjithëve. Nuk mund ta besoja, ai dukej krejt normal. Nuk i kishte lëvizur një fije floku, dukej sikur kishte shpenzuar 1 milion euro në veshjen e tij”.

“Ai vazhdoi komunikimin sikur asgjë nuk kishte ndodhur, ndërsa ne qeshëm për një kohë të gjatë. Një njeri i madh padiskutim, që gjithmonë gjente mënyra të ndryshme për ta na motivuar dhe për ta na mbajtur të bashkuar”.

“E fituam 4-2 atë ndeshje, por nëse Jose nuk do të kishte dalë nga koshi i rrobave, jam i bindur se historia do të ishte ndryshe”, rrëfente ish-kapiteni i Bluve, i cili tani ka nisur karrierën si trajner, ku para pak ditësh u rikthye te Chelsea ta ndihmojë akademinë e klubit. /Teegrafi/

Exit mobile version