Site icon Telegrafi

Terry: E gjithë zhveshtorja qau kur u shkarkua Mourinho në vitin 2007, i kërkuam bordit ta tërhiqnin vendimin

(Foto: Mike Hewitt/Getty Images/Guliver)

John Terry ka rrëfyer se e gjithë zhveshtorja e Chelseat kishte shpërthyer në lot kur Jose Mourinho u shkarkua në vitin 2007 duke e lutur bordin që ta tërhiqte vendimin.

Trajneri portugez e mori drejtimin e Bluve në vitin 2004 dhe i fitoi dy tituj radhazi të Ligës Premier, 2004/2005 dhe 2005/2006, ndërsa kapiteni i atëhershëm ishte pjesë e atyre triumfeve.

Ndërsa edhe pse i fitoi dy kupa në sezonin pasues (2006/2007), FA Cup dhe League Cup, Mourinho u largua nga klubi një muaj pasi e kishin filluar sezon e ri (2007/2008) duke i lënë lojtarët e tij zemërthyer.

(Foto: Dean Mouhtaropoulos/Getty Images)

Terry ka treguar se ai dhe bashkëlojtarët e tij ishin të dëshpëruar dhe të shokuar, saqë e kontaktuan bordin në përpjekje që t’i bindnin për ta tërhequr vendimin. Por, kjo nuk ndodhi dhe Avram Grant mori detyrën e trajnerit të përkohshëm.

“Të gjithë ishim në lot, ishte nga ato periudha kur pëshpëritjet qarkullonin, nuk po luanim mirë, nuk ishim të suksesshëm në ligë”.

“Ai (Mourinho) hyri dhe na tha: ‘Kaq ishte djem, më shkarkuan’, i përqafoi dhe i përkëdheli të gjithë. Ne po mendonim se çfarë do të bënim tash? E kishim dikë si një figurë babai që na drejtonte”.

(Foto: Laurence Griffiths/Getty Images/Guliver)

“Ishim të shqetësuar për të, por biseduam me bordin dhe u thamë: ‘Dëgjoni, duam që ai të qëndrojë. A mund ta kthejmë prapa? Është një vendim i nxituar, ai është më i miri nga të cilët kemi punuar’”.

“Por, ata e kishin vendosur dhe fatkeqësisht ishte fundi dhe ai u largua. Por, po, burra të rritur qanin me lot”, ka rrëfyer Terry për Sky Sports.

Kapiteni dhe Mourinho u ribashkuan në vitin 2013 kur trajneri u kthye në Stamford Bridge dhe e fituan sërish titullin në sezonin 2014/2015. Mirëpo, portugezit iu tregua përsëri deri, pasi që në sezonin pasues ranë në vend të 16-të në tabelë. /Telegrafi/

(Foto: Mike Hewitt/Getty Images/Guliver)
Exit mobile version